Aktualitet

Veprimet bankare u rritën me mbi 20% në gjysmën e parë të vitit!

Përdorimi i kanaleve bankare të pagesave nga shqiptarët u rrit më tej në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë 2024, individët dhe bizneset kanë kryer rreth 22.5 milion pagesa në rrugë bankare, në rritje me 20.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, vlera totale e transaksioneve arriti në 3.1 trilion lekë, në rritje me 7% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2023. Rritja më e vogël e pagesave në vlerë krahasuar me rritjen si numër transaksionesh, pjesërisht është e lidhur  dhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit, që ka kurrur vlerën statistikore të transfertave të kryera në valutë të huaj.

Në numër veprimesh, peshën kryesore në veprimet bankare të shqiptarëve vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 64% të totalit. Veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, por pagesat me kartë në terminalet POS po rriten me ritme të shpejta në vitet e fundit.

Në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 8.85 milion pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes. Numri i pagesave me kartë është rritur me 36% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2024 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.48 milion, në rritje me pothuajse 6% krahasuar me një vit më parë.

Grupi i dytë më i madh brenda pagesave në rrugë bankare janë transfertat e kreditimit të nisura nga klientët. Këto përfshijnë pagesat e nisura nga klientët në degët e bankave ose nëpërmjet kanaleve bankare në distancë, kryesisht internet banking.

Këtë vit po theksohet më tej dominimi i transfertave bankare po dominohen nga veprimet në kanalet e elektronike. Rreth 59% e numrit total të këtyre transfertave u kryen në formë jo-letër, nëpërmjet kanaleve elektronike.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66% të totalit. Kjo tregon se përdorimi i shërbimeve bankare ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fillim të këtij viti ishte rreth 3.24 milion, me një rritje prej 4.2% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2023, numri i llogarive aktive në sektorin bankar është zgjeruar me afërsisht 127 mijë të tilla. Numri i llogarive bankare është rritur në të gjithë segmentet kryesore të klientëve, te individët dhe bizneset rezidente apo jorezidente. Llogaritë e individëve rezidentë arritën në afërsisht 2.94 milion, me një rritje vjetore prej 4.4%.

Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti shifrën më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milion. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, i ndikuar ndjeshëm edhe nga konsolidimi i sektorit bankar dhe ulja e numrit të përgjithshëm të bankave./Monitor