Rajoni

Vërshime uji në Gjakovë dhe Rahovec nga reshjet e dendura të shiut

Si pasojë e reshjeve të shiut, në Komunën e Gjakovës dhe Rahovecit është raportuar për vërshime, që kanë shkaktuar dëme materiale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha për Radion Evropa e Lirë se në Gjakovë dhe Rahovec ka disa shtëpi dhe makina të dëmtuara, por shtoi se nuk ka raportime për dëme në njerëz.

“Ka vërshime në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra të Rahovecit. Deri më tani, janë angazhuar edhe zjarrfikësit dhe komunat respektive. Deri më tani nuk kemi ndonjë raport se dikush ka pësuar përveç dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, pra ka dëme në disa rrugë, automjete dhe në disa shtëpi, nëpër bodrume”, tha Elezaj.

Sipas Elezajt, shkalla e dëmeve ende nuk është analizuar saktë dhe u takon organeve komunale ta bëjnë një gjë të tillë.

Ndërkaq, në rrjetet sociale janë publikuar fotografi nga rrugët e vërshuara të Gjakovës dhe Rahovecit, ku shihen edhe makina pothuajse të mbuluara nga uji.

Nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent thanë se do të dalin më vonë gjatë ditës me një vlerësim më të detajuar për dëmet e shkaktuara nga moti i keq.

I gjithë vendi të shtunën është përfshirë nga moti me shi dhe shkarkime rrufesh.