I ftuar në “Live from Tirana” përmes një lidhje telefonike ishte artisti Arbër Salihu, ndryshe i njohur si La Fazani. Ai ka publikuar së fundmi këngën e tij më të re, “Overdrive”, e cila ka arritur vendin e 10-të në “The Top List” këtë javë. Artisti na ka folur më shumë për këtë projekt, ku e gjen ai frymëzimin, si dhe shumë detaje të tjera…
La Fazani kujdeset për çdo detaj, si mënyra e paraqitjes në skenë. Pse kjo zgjedhje e tij me veshjet kaq unike?
Është pjesë e të qenurit artist. Po del të prezantosh diçka, kështu që çdo element që përmban duhet të flasë diçka. Jam rritur duke parë dhe dëgjuar artistë të shkëlqyeshëm në të gjitha nivelet, si ajo e paraqitjes vizuale dhe nuk kam si të mos kujdesem për këtë. Kisha një kostum shumë unik në Festivalin e Këngës në Kosovë. Ishte e nevojshme, ajo ishte një skenë shumë e madhe dhe pa një paraqitje të mirë nuk bëja dot. E shoh si obligim për një artist që të jetë estetikisht i kënaqshëm, por dhe të përcjellë një mesazh konceptualisht. Secili detaj është për t’u studiuar.