Rajoni

Veteranë të UÇK-së në protestë, nuk përfitojnë nga rritja e pagës minimale!

Duke u shprehur kundër mospërfitimit të rritjes së pagës minimale, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan sot në Prishtinë dhe arritën të hynin në oborrin e Kuvendit ku i priste policia. Tubimi i mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK) planifikohej të zhvillohej para selisë së Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale. Ndërkohë, nuk munguan momentet e tensioneve e forcat e rendit përdorën spray e gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Protestuesit thërrisnin: “UÇK, UÇK!” e “Marre, marre!”

Pensioni i veteranëve është i njëjtë me pagën minimale në Kosovë, por në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të kësaj page, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK/së, Faton Klinaku, shprehu indinjatën se kërkesat e tyre janë shpërfillur nga institucionet e Kosovës dhe vuri në dukje se janë detyruar të dalin në protestë, për të shprehur pakënaqësitë.

Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe jemi detyruar që pakënaqësitë tona t’i shprehim në protestë.

Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, diskutohet sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga qeveria është miratuar në prill të këtij viti. Sipas draftit, “paga minimale do të rritet në 264 euro bruto apo 250 euro neto”. Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011 dhe rezulton më e ulëta në Europë, sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, Eurostat.
Aktualisht, kjo pagë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35-vjeç.