Politikë

Vetëvendosje tërhiqet nga procesi i numërimit, akuzon PS-në për vjedhje votash

Lëvizja Vetëvendosje vijon për të dytën ditë radhazi akuzat për tjetërsim votash. Sot kreu i degës së kësaj partie në Shqipëri, Boiken Abazi, njëkohësisht kandidati i kësaj partie për deputet në qarkun e Tiranës, Boiken Abazi, shkruan se votat që i janë besuar atij si kandidat i pavarur janë bërë të pavlefshme.

Në një postim që ka bërë në rrjete sociale, Abazi shkruan se shumë prej votave të tij, po i kalojnë PS-së. Ai poston dhe foto që sipas tij faktojnë vjedhjen e votës nga maxhoranca apo tjetërsimin e saj duke e bërë të pavlefshme.

Një nga mënyrat se si po e vjedhin dhe/ose deformojnë votën tonë në këto zgjedhje është si në vijim: Aty ku qytetari ka vendosur një “X” poshtë nr. 13 në fletën e votimit pranë emrit tim, te i njëjti fletëvotim kanë vendosur edhe një “X” tjetër te një prej kandidatëve të PS, duke e shpallur të pavlefshme fletën e votimit ose duke ia dhënë PS. Deri tani këto raste i kemi evidentuar në disa Qendra Numërimi të cilat do i bëjmë publike në vijim.