Rajoni

Vetvendosje: Ballkanit të Hapur iu vu dryni në Berlin!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, vlerëson se nisma “Ballkani i Hapur” është bllokuar në Gjermani. “Ballkanit t ë hapur” iu vu dryni në Berlin, ka shkruar ai në Twitter.

“Tregtarëve të dështuar të vëllazërim-bashkimit iu mbetet të kthejnë sytë kah Brukseli e Washingtoni, ose të lëshojnë udhë”.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Konferencën e 18-të të nismës Adriatiko-Joniane, ka folur për raportet që duhet t’i kenë shtetet e Ballkanit mes vete, duke thënë se duhet të harrohen, sipas tij, rrëmujat e së kaluarës.

“Fqinjët nuk i zgjedh. Gjyshja ime më tha ‘komshiu i lumtur ,shtëpi e lumtur’. E kundërta është thjesht një makth. Serbia nuk do të shkojë kurrkund, ashtu si dhe kroatët, malazezët. Të gjithë ne do të jemi këtu. Na duhet ta zgjidhim dhe të rritemi dhe të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin”. Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë. Sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje. Rruga është ende e gjatë për ne. Por sot jemi një vend më i mirë, krahasuar me ku ishim”, u shpreh Rama.

Deri më tani pjesë e Ballkanit të Hapur janë: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Nisma për krjimin e Open Balkan ose njohur ndryshe si Mini-Schengen është propozuar për herë të parë nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano në fillim të viteve 1990. Kjo iniciativë synon përmirësimin e marrëdhënieve politiko-ekonomiko mes vendeve të rajonit.

Planet për krijimin e Open Balkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë.

Çfarë është nisma “Ballkani i Hapur”?

Më pas pati dy takime të tjera të liderve të tre vendeve më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë. Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.

Deri tani pjesë e kësaj iniciative janë bërë vetëm këto tre vende ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen.

Kosova nuk ka marrë pjesë në takimet për këtë iniciativë edhe pse Marrëveshja e Uashingtonit parashikonte se Beogradi dhe Prishtina do t’i bashkoheshin “mini-schengen”.

Kurse Bosnje-Hercegoniva dhe Mali i Zi pavarësisht ftesave janë deklaruar se do të mbeten spektatore.