Aktualitet

Vijojnë hetimet për ngjarjen e Elbasanit, me një të vrarë e katër të plagosur

Mbi 10 persona janë shoqëruar deri më tani për t’u pyetur lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit, dje në lagjen “5 Maji” në Elbasan, ngjarje për të cilën u dorëzua ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj, si autor i dyshuar. Paraprakisht, u mësua se Paplekaj ka dëshmuar se qëlloi në kushte kur ndjeu rrezikshmëri për jetën.

Drejtuesi politik i demokratëve në Qarkun Elbasan, Gazment Bardhi konfirmoi se 36-vjeçari ishte pjesë e të ashtuquajturës Strukturë për Mbrojtjen e Votës ashtu si edhe dy prej të plagosurve Emiljano Prenga e Pavlo Vuksani, gjithashtu ish-efektivë. Të lënduar mbetën edhe një efektive policie e dhëndri i viktimës.

Ndërkohë në kërkim u shpall Kelmend Xhaferri, emër i njohur për policinë si i përfshirë në ngjarjen e shtatorit 2017 ku para Tregut Agro-Ushqimor në Elbasan, një Audi i blinduar përplasi makinën e zv.drejtorit të policisë së qarkut të asaj kohe. Gjithashtu, Xhaferri i njohur si Kel Çami u denoncua nga Gazment Bardhi për përplasjen mes militantëve të PS-së e PD-së po në Elbasan, më 14 mars, Ditën e Verës.

Ndërsa vijojnë hetimet, ende nuk është zbardhur e plotë dinamika e ngjarjes së djeshme që i kushtoi jetën mjekut psikiatër, ish-eksponent i LSI-së e PDIU-së në Elbasan, në këtë fushatë zgjedhore i aktivizuar me PS-në. Vazhdon të mbetet e paqartë se kush qëlloi i pari me armë zjarri.

Deri tani është bërë e ditur se me pretendimin se në një makinë tip Benz ML pa targa gjendeshin karta identiteti të blera e materiale zgjedhore të ndaluara, pjesëtarë të Strukturës pranë PD-së, të cilët zbritën nga tre furgona të bardhë me logo të Selisë Blu, i kërkuan drejtuesit të automjetit, militant socialist të hapte makinën. Ky i fundit ka refuzuar dhe në vendngjarje është thirrur policia e gjithashtu u njoftuan mbështetës socialistë çka rriti tensionet pasi pati një përplasje fillimisht verbale.

Më pas, nga numri i gëzhojave të gjetura mendohet se është përdorur më tepër se një pistoletë, pra jo vetëm ajo e të arrestuarit Paplekaj. Nga ana tjetër, viktima, nuk ka qenë i armatosur. Ndërkaq, Taulant Balla i kërkoi PD-së të heqë nga Elbasani furgonat e mbushur me persona me përgatitje ushtarake e që sipas Gazment Bardhit janë qytetarë që e duan Shqipërinë e nuk lejojnë pazaret me votën.