Aktualitet

Vijojnë protestat e maturantëve për provimin e Matematikës!

Maturantët vijuan edhe sot protestën për vështirësinë në provimin e Matematikës, që zhvilluan më 11 qershor. Fillimisht u mblodhën para Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit në kryeqytet nga ku folën për test shumë të vështirë dhe kërkuan të ulet pragu i pikëve.

Ata theksuan se nuk ka dialog e as negociata, pa iu plotësuar kërkesat. Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të tretë të Maturës Shtetërore, atij të lëndës së Matematikës. Testi në total kishte 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25% ose 15 pikë.

Pas protestës te Ministria e Arsimit, maturantët u zhvendosën tek Zyra e Qendrës së Shërbimit Arsimor. Ata u shprehën se testi ishte shumë i pakuptueshëm.

Shkalla e vështirësisë shumë e lartë dhe ishin ushtrime për të cilat nuk ishim përgatitur. Ne kërkojmë që minimumi të zbritet pragu nga 60 në 50 dhe shuma e pikëve të marra të shumëzohet me koefiçientin 1.4.

Të tjerë protestues kërkuan të rishikohet testi e të bëhet një rihartim në bazë të programit të mësuar, jo jashtë tij.

Një ditë më parë, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri të ditur se me grupet e ekspertëve po rivlerësojnë nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në Testin e Matematikës.

Nëse na rezulton se tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që do të rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.