Aktualitet Politikë

Vijon beteja ‘Berisha-Alibeaj’, nuk pushojnë mbledhjet në kampin opozitar!

Enkelejd Alibeaj vazhdon të ushtrojë kompetencat e kryetarit të grupit parlamentar të PD.

Ditën e sotme ai ka njoftuar se të hënën në orën 14:00, do të zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar në selinë e Partisë Demokratike.

Lëvizja e Alibeajt vjen pak orë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit në orën 18:00.

Ditën e sotme, në selinë blu u zhvillua mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar të PD, pa dakordësinë e Rithemelimit.

Kjo pasi Luçiano Boçi kishte kërkuar shtyrjen e saj për në orën 17:00, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh nga Alibeaj.

Partia Demokratike do të mbledhë ditën e nesërme në orën 18:00 Këshillin Kombëtar. Kjo do të jetë mbledhja e parë pas Kuvendit të 30 prillit, që zgjodhi edhe anëtarët e rinj të këtij organi të rëndësishëm.

Deputeti Edi Paloka tha se qëllimi i mbledhjes nuk është vetëm konstituimi por edhe do të përcaktohet qëndrimi politik i PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

“Është i vetmi organ që përcakton qëndrimin e unifikuar të Partisë Demokratike në lidhje me një qëndrim të rëndësishëm politik”, tha Paloka.

Anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD janë edhe Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Gazment Bardhi dhe të gjithë deputetët e tjerë që nuk i janë bashkuar Berishës. Nëse do të jenë apo nesër në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kjo mbetet për tu parë edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhë.