Aktualitet Rajoni

Vijon heqja e barrikadave në veri të Kosovës/Reagime në Tiranë!

Ndërsa vazhdon heqja e barrikadave serbe nga veriu i Kosovës, kryeministri Albin Kurti pret të largohen që të nënta e të lirohen rrugët për në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Vetëm kur kjo të ndodhë do të shtyhet me një muaj zbatimi i dy vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, të kontestuara nga serbët e Kosovës e Beogradi. Këto vendime duhej të hynin në fuqi sot, por me tensionet e krijuara, ndërkombëtarët sugjeruan shtyrjen 30 ditore. Ndërkohë, pikëkalimet e Jarinjës e Bërnjakut ende nuk janë hapur.

Raportohet se 11 qytetarë morën trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve, nga ato që Prishtina i quan “struktura kriminale ilegale të armatosura” në veri të Kosovës e që dëmtuan edhe makina të shqiptarëve. Për këto raste, policia vijon hetimet. Deri në mesditë, janë lëshuar mbi 1 mijë e 500 dokumente për hyrje-daljet e shtetasve të Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.

Tashmë, Kosova është realitet i pakthyeshëm politik, kontribuues për paqen e stabilitetin në rajon e sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm. Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Një reagim pati edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha se “Serbia bën politikë destruktive dhe destabilizuese”.

Ngjarjet e mbrëmshme janë tregues i qartë që Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar, të firmosura në Bruksel me Kosovën, përkundrazi i bllokon ato dhe i keqpërdor maksimalisht vetëm në interes të politikave destruktive dhe destabilizuese duke u fshehur pas grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës.

Bashkimi Europian duhet të jetë më këmbëngulës e të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjet e firmosura me Kosovën, si dhe të jetë i qartë se çdo tendencë për destabilizimin e rajonit do të dënohet e do të ndëshkohet ashpër. Qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, nuk duhet të bëjnë lojën e strucit nga halli se i mbetet qejfi shefit të “Ballkanit të Hapur”, por të pozicionohet qartë në krah të Kosovës dhe të drejtës së saj. Siç e pamë qartë dje, Serbia mbylli kufijtë, Kryeministri mbyll gojën.