Aktualitet

Vijon me konfiskime shezlongësh e çadrash aksioni “Bregdeti ynë”!

Në Velipojë u verifikuan 27 subjekte, dy prej të cilëve kishin zaptuar më shumë hapësirë publike nga sa përcaktonte leja përkatëse në e-Albania. Në to u sekuestruan 40 shezlongë e rreth 20 çadra. Shqetësimi më i madh i biznesit është dhënia e hapësirës së plazhit jo aty ku kanë aplikuar, përpara hoteleve respektive por në zona të tjera.

Në Shëngjin, aksioni nisi nga Rana e Hedhun në drejtim të Kunes por nuk u konstatuan biznese që operonin pa leje. Dy subjekte që ende nuk kishin marrë konfirmim për leje i larguan dje shezlongët.

Në plazhin e Durrësit, në 30 subjekte të kontrolluara deri në mesditë, rezultuan 7 parcela pa leje ku u hoqën 290 shezlongë e 141 çadra. Disa prej subjekteve të prekura nga ky operacion, shprehen se prej dy muajsh kanë aplikuar në e-Albania por se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Deri tani, në territorin e Bashkisë Durrës, 160 subjekteve iu miratua paraprakisht leja për shfrytëzimin e plazheve nga Gjiri i Lalzit te Përroi i Agait, në kufi me Golemin.

Gjithashtu, kontrolle po zhvillohen nga Zvërneci në Ksamil e deri në mesditë në 37 subjekte u gjetën 5 parcela pa leje dhe u hoqën 95 shezlongë e 20 çadra. Nga verifikimet në Fier, doli se 3 subjekte nuk kishin leje në Darzezë e Seman dhe iu hoqën 257 shezlongë e 76 çadra.

Aksioni policor për lirimin e hapësirave publike vjen një ditë pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë konferencës së djeshme për shtyp, tha se “do të ketë forca policie që do të konfiskojnë çdo objekt nëse bizneset nuk i kanë dokumentacionet në rregull”.