Aktualitet

Vijon moti i keq në vend, bllokohet sërish Vlorë-Orikum!

Vazhdon shembja e rrugës Vlorë-Orikum ku bien inerte. Një masiv u shkëput nga mali i Shushicës, për shkak të shirave. Rruga që lidh Vlorën me Himarën e Sarandën, kalohet vetëm me një sens, me vështirësi. Në zonën e njohur si Jonufri u dëmtua shtrati i rrugës. Lidhur me reshjet e shiut dhe dëborës në të gjithë vendin, Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se në akset Qafë Thanë-Kapshticë, Korçë-Ersekë, në Dardhë, në Llogora dhe në Tamarë kanë nisur reshjet e borës.

Nisur nga parashikimi i motit, reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë natës. Drejtuesit e automjeteve duhet të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore, të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore!

 

Bypass-i i Rrugës së Arbrit është përfshirë nga reshje bore përgjatë 24 orëve të fundit, çka sjell vështirësi në qarkullim për drejtuesit e automjeteve. Policia Rrugore e qarkut Dibër apelon që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal e të përdorin zinxhirët e gomat dimërore për automjetet. Patrullat janë në terren, me qëllim parandalimin e aksidenteve e për t’i ardhur në ndihmë çdo shoferi që mund të ketë probleme.

 

Pasojat e motit të keq po i vuan edhe rrjeti elektrik në disa zona të vendit ku raportohen avari. Kjo ka çuar në mungesa të energjisë elektrike në fshatrat Salari, Lekdush, Rexhine e Bënçë në Tepelenë, si edhe Zhapokikë 1 e Zhapokikë 2 në Memaliaj. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bën të ditur se brigadat e njësisë OSSH Malësi e Madhe janë duke punuar prej ditësh për pastrimin e trasesë dhe lidhjen e linjave të këputura nga reshjet e dëborës. Në terren janë angazhuar 23 elektriçistë, të pajisur me bazë materiale e mjete pune. Fideri i Kelmendit ka shtrirjen më të gjatë, mbi 100 km deri në Vermosh.

Edhe sot, vendi ynë mbetet nën ndikimin e vranësirave e të shirave dhe dëborës. Më të dendura, reshjet do të jenë në veri-perëndim e jug-perëndim të territorit. Temperaturat kanë pësuar rënie të lehtë e variojnë nga minus 2 në 14 gradë celcius. Era fryn mesatarisht me shpejtësi 50 km në orë nga drejtimi jugor, duke krijuar dallgëzim 4 ballë në brigjet detare.