Aktualitet

Vijon rënia e ortekëve në Qafë Thore-Theth/Në Shkodër zgjerohet me 100 ha sipërfaqja e përmbytur!

Edhe pse vendi ynë ende nuk i ka shpëtuar darës së motit të keq, gjatë natës e në orët e para të mëngjesit ra intensiteti i reshjeve të shiut e dëborës, duke sjellë edhe një qetësim të situatës. Raportohet se rrugët janë të hapura e qarkullimi kryhet pa probleme, por Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH njofton se në aksin Qafë Thore-Theth, në zonën e tuneleve vazhdon rënia e ortekëve duke sjellë vështirësi për mjetet dhe punëtorët e angazhuar për pastrimin e rrugës. Dendësia e borës arrin në mbi një metër lartësi.

ARRSH i bën thirrje shoferëve të tregojnë kujdes! Gjatë drejtimit të mjeteve, të pajisen me goma dimërore e zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën e të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore. Në rrugën e Arbrit ku pati bllokime, vijon qarkullimi i lirë i automjeteve. Edhe në Korçë, nuk ka probleme në lëvizjen e mjeteve, por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore e zinxhirëve.

Nga pasojat e motit të keq të orëve të fundit me reshje intensive shiu, sipërfaqja totale e përmbytur në Bashkinë e Shkodrës është 1 mijë e 220 hektarë tokë, duke u zgjeruar me 100 ha krahasuar me dje. Ndërkohë, ujësjellësi Oblika 1 vijon të jetë totalisht jashtë funksionit. Gjithashtu, në disa rrugë është e pamundur të qarkullohet përveçse me automjete të larta për shkak se ka prani të madhe të ujit.

Gjatë orëve të fundit është përmirësuar ndjeshëm situata e shkaktuar nga moti i keq në qarkun e Lezhës. Si pasojë e reshjeve të shiut, 530 hektarë tokë janë të përmbytura, 160 hektarë më pak krahasuar me mbrëmjen e djeshme. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë e nuk ka problematika në qarkullimin e mjeteve.

Edhe sot, vendi do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa, me origjinë jugperëndimore. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet me vranësira e alternime me diell, kryesisht në pjesën e parë të ditës. Në të dytën, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu, të cilat në orët e vona të mbrëmjes do të jenë intensive në zonën e jug-jugperëndimit. Në relievet malore e në lartësitë kodrinore bie dëborë.  Temperaturat luhaten në vlerat ditore nga minus 2 në 16 gradë.