Aktualitet Bota

Viktima dhe të zhdukur nga moti i keq në Itali!

Dy persona humbën jetën dhe të paktën katër të tjerë rezultojnë të zhdukur, pas shirave të rrëmbyer që përfshinë veriun e Italisë.  14 lumenj dolën nga shtrati, 5 mijë vetë u evakuuan. Një burrë në Forlì u gjet i pajetë dhe një tjetër humbi jetën në Ronta di Çezena. Nuk përjashtohet mundësia që viktima e parë të ketë gjetur vdekjen ndoshta i mbytur në katin përdhes të shtëpisë, pranë brigjeve të lumit Montone ku jetonte me bashkëshorten. Gruaja u shpëtua nga ekipet e emergjencave dhe tha se i shoqi kishte mbetur i bllokuar në katin përdhes, pikërisht aty ku u gjet i pajetë.

I dyti, një burrë rreth të 70-tave, humbi jetën për shkak të përmbytjes së lumit Savio e reshjeve të dendura që kanë goditur rajonin që prej ditës së djeshme. E zhdukur rezulton bashkëshortja e tij. Në total, të paktën katër persona janë të zhdukur në provincën e Forlì-Çezenas. Sipas asaj që mësohet nga ekipet e shpëtimit, një person mësohet se është zhdukur në Çezena dhe tre në Forlì.

Numri dy i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Titti Postiglione deklaroi:

Sistemi rrugor është kompleks, me shumë rrugë të përmbytura, udhëtimi është i vështirë nëse jo me mjetet e duhura, probleme ka edhe në sistemin rrugor kombëtar. Këshillohet shmangia e disa rrugëve arteriale dhe lëvizjet nga jugu nuk rekomandohen. Operacionet e shpëtimit mund të jenë komplekse.

Moti i keq ka përfshirë edhe vendin tonë. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se për ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri te dendura, si dhe me intervale kthjellimi.

Fillimisht ka reshje shiu me intensitet të ulët përgjatë relieveve malore, në mesditë reshje me intensitet të ulët në të gjithë vendin ndërsa në perëndim e në lindje, reshje me intensitet deri mesatar dhe lokalisht stuhi e shtrëngata afatshkurtra. Në orët e pasdites, reshjet mbeten prezente me intensitet  të ulët në të gjithë vendin, ndërsa në qendër, lindje e verilindje reshjet do të jenë me intensitet deri mesatar, shoqëruar me stuhi e shtrëngata afatshkurtra. Ndërprerje të reshjeve do të ketë gjatë orëve të natës.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-verilindje, me shpejtësi mesatare deri në 11m/sek ndërsa përgjatë vijës bregdetare, fiton shpejtësi deri 25m/s dhe hera-herës do të ketë tufan ere. Valëzimi në dete do të jetë i forcës nga 3 deri në 6 ballë.