Celebrities Showbiz

Virale/ Rrjeti po krahason këtë veprim të Michael Jackson me atë të Travis Scott…

Në datën 5 nëntor, tetë persona ndërruan jetë dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë festivalit “Astroworld” të Travis Scott. Sipas shefit të zjarrfikësve në Houston, incidenti ndodhi gjatë performancës ku pjesëmarrësit në radhët e spektatorëve nisën të shtyheshin në momentin kur në skenë po performonte reperi amerikan, Travis Scott, partneri i Kylie Jenner-it dhe disa prej tyre nuk mund të merrnin dot frymë. Në festivalin muzikor ishin të pranishëm rreth 50 mijë persona.

Videot nga spektatorët e koncertit kanë treguar qartë frikën dhe panikun që po përjetonin pjesëmarrësit. Disa prej tyre u ngjiten në skenë dhe u përpoqën të ndalojnë shfaqjen duke kërkuar ndihmë për personat e lënduar. Që nga e premtja, dhjetra video janë bërë virale në internet, duke nxjerrë në pah se çfarë po ndodhte aty. Kjo ngjarje na ka sjellë në kujtesë këngëtarin me famë botërore, Michael Jackson, i cili dikur ndaloi performacën e tij dhe kërkoi që të shpëtonin një insekt që ndodhej në skenë. Këngëtari thirri sigurimin dhe tha:

Mund ta marrësh këtë insekt? Nuk dua që dikush të ndërhyjë në këtë. Mos e vrit atë, gjithsesi. Mos e vrit.

Roja i sigurisë, i cili filloi të dilte nga skena me insektin, u kthye përsëri për t’i treguar Michael-it se insekti ishte ende gjallë. I kënaqur, Michael u përqendrua përsëri tek publiku, i cili i duartrokiti për veprimin e tij dhe disa prej tyre brohorisnin dhe shprehnin fjalë inkurajuese për të.

Shumë komentues të ngjarjes tronditëse, janë duke krahasuar veprimin e Michael Jackson me atë të Travis Scott i cili nuk ndaloi performancën dhe anëtarët e stafit të “Astroworld”, kërkuan ndihmë me vonesë. Aktualisht, Scott është duke u paditur për neglizhencë, por derisa të gjitha faktet rreth asaj nate të jenë zbardhur, këto video do të vazhdojnë të shfaqen, duke demonstruar se perfomanca nuk duhet të vazhdonte më.

Rikujtojmë se, Travis Scott do të mbulojë të gjitha shpenzimet e funeralit për tetë viktimat që vdiqën në festivalin e tij “Astroworld” të premten, sipas një deklarate të publikuar të hënën nga një përfaqësues i reperit dhe producentit. Artisti i lindur në Houston do të bashkëpunojë gjithashtu me “BetterHelp” për të ofruar shërbime falas të shëndetit mendor për të gjithë ata që janë prekur nga tragjedia.