Art & Kulturë

Virtuozi Shkëlzen Doli shpallet “Nderi i Austrisë”!

Një nga violinistët më virtuozë shqiptarë në botë, Shkëlzen Doli, është dekoruar me titullin e nderit të Austrisë nga Presidenti austriak, Dr. Alexander Van der Bellen. Doli është lindur në Elbasan në 1971-shin, dhe më pas është rritur në Gjakovë. I shkolluar për muzikë në Vjenë, Shkëlzen Doli shumë shpejt arriti që të bëhej pjesë e Orkestrës Filharmonike të Vjenës në vitin 1995. Që atëherë, Doli është afirmuar ndërkombëtarisht duke realizur një numër turnesh ndërkombëtare si solist, nga Europa në Azi, në Amerikë të Veriut e Afrikë.

Publiku shqiptar e mban mend për koncertin e papërsëritshëm në Teatrin e Operas e Baletit, më 2017-n, ku me turneun Albanian Soul, i bëri muzikantët vjenezë të luanin Moxartin duke mbajtur qeleshe shqiptare në kokë. Shkëlzen Doli, e ka deklaruar vazhdimisht:

Jam shqiptar dhe nuk krenohem me asgjë tjetër, veç vendit tim.

Doli, ka themeluar edhe Vienna Philarmonic Ensemble, me të cilin ka performuar dhe në Koncertin tradicional të Vitit të Ri në Vjenë, e që transmetohet në mbarë botën, ku ka luajtur dhe motive shqiptare.

Tashmë, Doli, është mbajtës i titullit të nderit Për Merita Në Shërbim të Republikës së Austrisë, akorduar nga Presidenti austriak.