Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Vit pas viti” nga Viktor Gjika, nga kujtimet e autorit e deri tek ‘risjellja’ e tyre në jetë!

Tashmë të gjithë njihemi me një nga rubrikat e emisionit “Sot Nuk Është e Hënë”, leximin e librit, të përzgjedhur nga Koloreto Cukali. Në episodin e kësaj jave, ai kishte përzgjedhur një libër nga Viktor Gjika, “Vit pas viti”, i botuar në vitin 2009. Libri titullohet “Vit pas viti” pasi në të janë kujtimet e Viktor Gjikës, të shkruara në vitet e fundit të jetës, ku ai dhe vuante nga një sëmundje e rëndë.

Këto kujtime autori i la në formën e një ditari, që më vonë ishin miqtë e tij ata që i morën dhe i botuan në një libër. “Vit pas viti” nuk është thjesht jeta e Viktorit, por është një ndërthurje mes emocionit, atmosferës dhe dashurisë, që sipas Koloretos erdhi në një kohë pa dashuri. Në këtë libër, autori u sigurua që shënimet e tij dhe kujtimet të ishin të renditura sipas viteve.

Aktorët e regjisorët, miqtë e kolegët me të cilët Viktor Gjika ka ndarë momente të caktuara të jetës, teksa merrnin në dorë këtë libër dhe e shfletonin, prisnin që të gjenin veten në faqet e kujtimeve të tij. Tashmë i përfunduar nga Teodor Laço dhe i botuar nga shtëpia botuese “Toena” u ka shkuar si dhuratë kolegëve të tij.

Janë kujtime që nisin nga fëmijëria, ditët e rinisë së Korçës, koha e studimeve në Rusi, kthimi në Tiranë dhe një jetë e tërë në sheshet e xhirimit. “Një libër i Viktorit e për Viktorin” e ka quajtur Laço këtë botim, duke iu referuar shënimeve që miq e kolegë të Gjikës kanë shënuar në fund të librit. Ndërsa regjisori Dhimitër Anagnosti ka kujtuar edhe një herë udhëtimin si studentë drejt shtetit të panjohur, ngjarje që edhe vetë Gjika i ka përshkruar në kujtime.

Një ditë i thashë Viktorit se pse nuk i shkruante kujtimet, t‘i hidhte natyrshëm. Ditë më vonë, kur komunikuam sërish, më tha që kishte nisur. Bisedimi ynë qe i shpeshtë për të kujtuar dhe saktësuar ngjarje të caktuara.

Nga ana tjetër dhe Teodor Laço është shprehur për Viktorin dhe librin “Vit pas viti”:

… Ndodh nganjëherë, që kush të zgjedh emrin në lindje, parandien edhe të ardhmen. E pagëzuan Viktor, që do të thotë Fitimtar. E njoh prej afro 60 vitesh, prandaj kam arsye ta pohoj këtë. Në gjimnaz ishte gjithmonë i pari. Në çdo lëndë. Por jo si murg librash. Këndonte si solist, luante në pjesët teatrale. I kudogjendur. Kanakar i vajzave. Me diplomë të artë në shkollën e lartë të kinematografisë. Në historinë e filmit artistik e dokumentar shqiptar shkroi një kapitull që nuk do të harrohet. Sepse e gdhendi mbi gur, me daltë skulptori. Nëse do të kërkonim një tipar dallues të të gjithë filmave të tij, për mua ky do të ish realizmi.

Le të jetë ky libër një përshpirtje e pambarim. Miq dhe dashamirës të Viktorit, vendoseni atë në bibliotekat tuaja dhe pastaj… “Kur të jeni mërzitur, kërkojeni dhe ai do të zbresë e do të ulet pranë jush” për të perifrazuar vargjet e Dritëroit, si një luftëtar që nuk iu shmang asnjë beteje dhe i fitoi të gjitha, përveç asaj që nuk e ka fituar askush…

Një pjesë e mirë e kujtimeve i kushtohen realizimit të shumë filmave në Kinostudio, ku Gjika i përshkruan çdo herë me detaje. Por nuk harron t‘i kushtojë dedikime edhe bashkëshortes së tij, Florës, e cila i ka qëndruar në krah gjatë viteve të shumta të punës.

Por pse duhet lexuar ky libër me patjetër? Ashtu siç thotë dhe Koloreto:

Në fakt kjo nuk është historia e Viktor Gjikës. Kjo është historia e gjithë Shqipërisë, përmes dorës së atij që kishte dhe një sy shumë të mirë kinematografik.

Viktor Gjika u nda nga jeta më 4 mars 2009, në moshën 71-vjeçare. Ai do të kujtohet si një regjisor me një karrierë të gjatë në fushën e kinematografisë. Është autor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, etj.