Aktualitet

Viti shkollor 2022-2023, abetare e unifikuar në çdo shkollë të vendit!

Qeveria miratoi sot vendimin që në të gjitha shkollat në vend të ketë vetëm një tekst të unifikuar të librit të abetares.

Pas mbledhjes së Ekzekutivit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi:

Sot morëm një vendim të rëndësishëm për përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes së mësuesve në bazë shkolle, të tekstit të abetares. Në arsimin parauniveristar për çdo lëndë ne kemi tekste alternative dhe mësuesit e çdo lënde, në çdo shkollë mblidhen së bashku dhe vendosin të zgjedhin një nga tre alternativat që janë të miratuara në katalogun e Ministrisë së Arsimit.

Sot kemi vendosur që nga kjo procedurë të përjashtohet teksti i abetares për nxënësit në klasën e parë, që do të thotë që të gjithë nxënësit e klasës së parë në të gjitha shkollat e vendit të kenë një tekst të unifikuar.

Mësimi i gjuhës amëtare është një nga objektivat tanë më të rëndësishëm në arsimin parauniversitar dhe në fakt abetarja është libri i parë që përballet nxënësi kur ulet në bankat e shkollës. Nga takimet që kemi zhvilluar jo vetëm me ekspertë të arsimit në MAS, por edhe me mësuesit e ciklit fillor në të gjitha shkollat e kemi dakordësuar që për abetaren të kemi një tekst të unifikuar, sepse kjo ndihmon të kemi një qasje dhe metodologji të barabartë kudo.

Ministrja Kushi bëri të ditur se në muajt në vijim do të punojnë intensivisht për projektin “Një gjuhë, një abetare”, në mënyrë që të fillojnë procedurat për një konkurrim të hapur, të barabartë dhe transparent.

Në fillim të vitit shkollor 2022-2023, të gjithë vogëlushët, në të gjithë vendin të kenë të njëjtën abetare.