Bota

Vizitë e papritur e Putinit në Mariupol të Ukrainës, qytet i shkatërruar nga lufta!

Në një vizitë të beftë, Vladimir Putin ishte në Mariupol, qytetin ukrainas që tani kontrollohet nga forcat e Moskës. Në kronikat e transmetuara nga mediat shtetërore ruse, presidenti i Rusisë shihet duke lëvizur në një makinë në orët e vona të natës e më pas, teksa viziton një sallë koncertesh. Si pasojë e luftimeve të ashpra për të fituar kontrollin e Mariupolit, pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar.

Kjo mund të jetë e para vizitë e Putinit në territorin e pushtuar ukrainas. Agjencia e lajmeve TASS njoftoi se në Mariupol, “shefi i Kremlinit shkoi me helikopter dhe takoi banorë vendas”. Në video, një zyrtar rus i tregon Putinit si është duke u rindërtuar qyteti, që prej më shumë se 10 muajsh kontrollohet nga Moska.

Raportimet për vizitën e presidentit vijnë mbi një vit nga dita kur Rusia nisi sulme ajrore në teatrin e Mariupolit, ndërsa humbën jetën qindra civilë që e shfrytëzonin godinën për strehim nga bombardimet. Ukraina dhe grupet për të drejtat e njeriut shprehen se ato sulme ishin “krime lufte”.

Një ditë më parë, Vladimir Putin zhvilloi një vizitë po të papritur edhe në Krime, për të shënuar përvjetorin e nëntë të aneksimit të këtij gadishulli ukrainas. Autoritetet në Kiev janë zotuar se do ta çlirojnë gjithë territorin e Ukrainës, përfshirë Krimenë e aneksuar nga Rusia më 2014-ën.

Ndërkaq, u raportua se presidenti Putin takoi komandantë të lartë ushtarakë rusë në Rostov-on-Don, qytet i Rusisë në lindje të Mariupolit. Lufta e Moskës në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, duke u strehuar brenda e jashtë territorit të Ukrainës.