Botë e Çuditshme Design

Vizitorja thyen aksidentalisht skulpturën ikonike të Jeff Koons me vlerën marramendëse!

Dashamirësit e artit në Miami u shokuan kur një koleksioniste rrëzoi aksidentalisht në tokë një skulpturë me vlerë 42 mijë dollarë të artistit amerikan, Jeff Koons. Vizitorja e goditi atë me gisht, thanë dëshmitarët në ngjarje. Statuja, një nga veprat ikonë të “qenve balonë” të Koons u thye në copa të vogla dhe u desh të pastrohej me fshesë nga stafi i galerisë.

Aksidenti ndodhi gjatë natës ekskluzive të hapjes vetëm me personazhe të famshëm të Art Wynwood, një panair arti bashkëkohor që mbahet çdo vit në Miami të Floridas. Artisti vendas Stephen Gamson tha për Miami Herald se po e admironte skulpturën, kur një grua e moshuar e goditi atë, duke e rrëzuar nga piedestali. Në fillim ai mendoi se ishte pjesë e një performance, por shpejt e kuptoi se kishte qenë një aksident.

Kur ajo ra në tokë, ishte si një aksident automobilistik që tërheq një turmë të madhe njerëzish në autostradë.

Për fat të mirë për gruan, skupltura mbulohet nga siguracioni, tha Bénédicte Caluch, një këshilltar arti me galeritë e Arteve të Bukura Bel-Air që përfaqëson skulpturën.

Ishte një aksident! Të gjithë erdhën për të parë se çfarë ndodhi.

Thuhet se gruaja që shkaktoi dëmin, e cila mbeti e paidentifikuar, ishte një koleksioniste arti. Cédric Boero, i cili gjithashtu punon për galeritë e Arteve të Bukura Bel-Air tha për mediat:

Jeta sapo u ndal për 15 minuta me të gjithë përreth.

Ai shtoi se një koleg foli me gruan, e cila i tha se ndihej “shumë keq” dhe se “thjesht donte të zhdukej”. Por pavarësisht se është copëtuar në mijëra pjesë, ka ende interes për të blerë skulpturën e shkatërruar. Vetë Gamson ofroi ta blinte atë sepse, siç shkroi në llogarinë e tij në Instagram, “ka një histori vërtet interesante”.

Artisti Jeff Koons, 68 vjeç, nuk ka bërë asnjë koment për incidentin. Gama e tij e skulpturave të “Qenve balonë” janë ndër veprat më ikonike të artit bashkëkohor dhe janë shitur për dhjetëra milionë dollarë. Disa janë të mëdha deri në 3 metra, por skulptura që u thye ishte vetëm një qenush, me gjatësi 40 cm. Në vitin 2019, Koons bëri histori kur skulptura e tij “Lepuri” u shit në ankand për 91.1 milion dollarë çmimi më i lartë i shitjes ndonjëherë.