Aktualitet

Vjedhje me thika e pistoletë lodër në mes të Tiranës, tre në pranga!

Kryenin vjedhje në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, pranga dy të rinjve të moshave 16 e 20-vjeç, ndërsa nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një 14-vjeçar. Nën kërcënimin e thikave e të një pistolete lodër kishin grabitur tre persona ditët e fundit, në qendër të kryeqytetit. Uniformat blu u vunë në lëvizje, pas informatave në rrugë operative për rastet shqetësuese. Arrestimet në flagrancë u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Saga”.

Njoftimi zyrtar:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, si dhe si rezultat i ndjekjes së menjëhershme të informacioneve të marra në rrugë operative, për raste vjedhjesh në sheshin “Skënderbej”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Saga”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 14-vjeçar.

Shërbimet e Policisë i kanë arrestuar në flagrancë këta shtetas, në sheshin “Skënderbej”, pasi duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika) dhe me një pistoletë false, u kishin vjedhur sendet personale, tre shtetasve, gjatë ditëve të fundit.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një pistoletë false, dy mjete prerëse (thika), sende me vlerë, të dyshuara të vjedhura dhe tre aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.