Sociale

Vjeshta e politikës dhe shqiptarët rrinë e vështrojnë…! Opinion nga Zilie Feçi – kryeredaktore Top News

Fundi i korrikut shënoi mbylljen e stinës politike. Jo për të gjithë! Berisha dhe Meta janë në llogore çdo ditë, duke tentuar të thyejnë ndonjë garë noti, apo ngjitje lartësish në fundjavë. Rama ka vendosur një lloj qetësie në kabinet, që në fakt duhet të tronditet, jo të prishet nga ngjarje të rënda, si vrasja e Jonadës në plazhin e Potamit.

Gjithsesi, shtatori do të vijë ndryshe për të gjithë. Berisha ka përpara një det të tërë, sepse pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Britania e Madhe e vulosi me një non grata, duke ia shtuar mundimet më së shumti avokatit që ka zgjedhur në Francë, për ta mbrojtur përballë sekretarit Antony Blinken.

Meta e konsideron thjesht një ‘lumë për të kaluar” atë që doli nga Autoriteti i Dosjeve se kishte spiunuar një shok në vitet e universitetit edhe pse mazhoranca dhe opozita e Alibeajt kanë shkuar shumë më tej, duke firmosur propozime për të zhdukur njëherë e mirë nga politika çdo ish-spiun të sigurimit të shtetit. Nëse ky është një “inat politik” për dyshen Berisha-Meta që në distancë e kanë firmosur bashkpunimin që nis në vjeshtë, kjo pritet të shihet. Por nuk është as Rama në pozita komode. Sepse nuk do të jetë aspak çudi që ndaj tij të ketë një hakmarrje nga Berisha dhe Meta, nëse këta të fundit nuk kanë çfarë të humbin, nëse dalin pa fitore nga Ligji i Lustracionit.

Por, ish-kryeministri dhe ish-presidenti nuk kanë rihyrë në lojë për të marrë “kartonin e kuq”. Partia e Lirisë që pagëzoi Meta, por edhe Shtëpia e Lirisë së Berishës në zgjedhjet e 6 Marsit në zgjedhjet e pjesshme lokale, nuk janë pa asnjë lidhje. Edhe sikur Gjykata e Apelit të vendosë krejt ndryshe nga deri tani për “pronësinë” e Partisë Demokratike, skenari është gati. Berisha dhe Meta janë bashkë në garë, secili me atë elektorat fanatik, që më shumë se ideale beson tek lidershipi.
Por a do të mund ta mposhtin Ramën, njerëz të afërt të të cilit (shpesh dhe ministra) thonë se është largpamës dhe mendjen e ka tek mandati i katërt?!

Që ky vend ka nevojë për shumë ndryshim, këtë edhe më militanti i Ramës apo PS e kupton. Që shumë gjëra nuk funksionojnë, edhe kjo nuk do shumë për ta kuptuar.

S’ka dyshim se kur sheh mbrapa jo pak gjëra kanë ndryshuar aq shumë, sa duket sikur s’kanë ekzistuar kurrë siç i mbajmë mend.
Por s’ka dyshim edhe se jo të gjitha ndryshimet i kanë ndodhur për mirë trupit, shpirtit, mendjes, kujtesës dhe imagjinatës së Shqipërisë që rrugëton për t’u ribashkuar me Evropën.

Ashtu sikundër s’ka dyshim, besoj, se ndër gjërat që nuk kanë ndryshuar që nga ora e atij dhjetori historik, mbetet aspirata e papërmbushur e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për demokracinë e çdo dite, për cilësinë, forcën, qëndrueshmërinë që ka demokracia e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, kur duhet të sigurojë liritë e të drejtat e qytetarit shqiptar; kur duhet të mbrojë interesin kombëtar, publik e vetjak të tij; kur duhet të garantojë sigurinë dhe pronën e tij.

Jo liria e fituar në dhjetor; jo pluralizmi që e garantuar që në marsin e parë pas Lëvizjes së Dhjetorit; jo rruga drejt Bashkimit Evropian e NATO-s që populli i tërë e kishte zgjedhur në orën e parë të lirisë, dhe të tëra partitë e kishin miratuar pa ekuivok në programe; po pikërisht, aspirata për demokracinë e çdo dite, çoi në revolucionin me votë të marsit të dytë të lirisë, në vitin 1992.
Por më shumë se demokracia, liria, apo teori të tilla, shqiptarët kanë nevojë për drejtësi, për të parë të ndëshkohen të gjithë ata që e kanë grabitur e masakruar këtë vend. Ka nevojë për zbatimin e ligjit nga të gjithë. Por kam frikë dhe largëqoftë e kam dhe bindje, që askush nga liderët nuk e ka këtë vizion, se më shumë se çdo gjë shqiptarëve u kanë vrarë shpresën…!