Live From Tirana Music

Vlashent Sata zbulon ‘sekrete’ të pathëna më parë rreth këngëve të tij!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar këngëtari i njohur Vlashent Sata i cila gjendej pranë mikrofonit të “Top Albania Radio”-s për të zbuluar detaje të bukura rreth projekteve të tij muzikore.

Në botën tonë (Top Fest 2010)

“Ka qenë fantastike kur e kemi regjistruar këtë këngë në Paris. E kam regjistruar në kushte shtëpie. Kur erdha në Shqipëri ishte fantastike sepse mu dukte sikur po bashkoja dy copëzat e mia, Shqipërinë dhe Francën. Atëhere nuk kisha ide fare se çfarë po ndodhte, isha pak si ‘alien’. Erdha për 2-3 ditë për ta prezantuar dhe u ktheva në Francë. Ka patur shumë impakt mesa di unë Radio, në “Top Albana Radio” që ishte dhe është një legjendë e gjallë.”

Djemtë e balonave (2018)

“Kemi qenë të vegjël dhe ishte dita e balonave. Ndërtonim balona me letër kalk e me disa kallama që mundoheshim t’i lidhnim me spango. Unë nuk isha mirë në gjeometri por më ndihmonin shokët edhe bënim bishta kështu me letër punë dore. Ka qenë bukur se i bënim vetë, nuk ka patur lojëra elektronike. Ishim të gjithë bashkë dhe secili jepte ato copëzat që do të ndërtonin djem melankolikë e me fantazi. Çdo fëmijëri është e bukur por kam përshtypjen që gjërat e vogëla i jepnin disa erëza magjike.”

Hana (2018)

“Kjo këngë është historia e një djali vetmitar që përgjon historitë e njerëzve rrugëve të Parisit. Është kënga më sensuale që kam shkruajtur, ndoshta prandaj njerëzit e lidhin me figurën femërore. Parisi është qyteti më i bukur në botë. Kam patur fatin ta jetoj në mënyrën më të këndshme të mundshme. Kisha kohë për të dalë edhe kur isha studentë shihja koncerte dhe të jep mundësi të pasurohesh më kultura të ndryshme.”

Erdhi dita (2016)

“Do doja shumë të vinte dita që njerëzit mos ta kishin si detyrim për të ikur. Unë kam ikur nga Shqipëria me idenë për të ikur megjithëse kisha si pretekst studimet. Në periudhën që isha i ri ajo që më bllokonte ishte ideja e konceptit të shoqërisë që nëse e mendoje diçka ndryshe, si të kërceje mes rruge, mos të të shënonin me gisht. Ishte ndjeshmëria ime në atë kohë relativisht ndryshe dhe më thonin: “Mos bëj si fëmijë”, sepse ishte dëshira për tu dukur i rritur. Unë nuk e kam patur ndjesinë për tu dukur, e aq më tepër i rritur. Më interesante më dukej të isha fëmijë dhe krijues.”

 

Copëzat (2019)

“Ne ishim duke folur në Skype me Dojnën dhe po lodheshim duke folur gjatë. Unë e kisha nisur këngën dhe pasi atë e kishte zënë gjumi unë e përfundova këngën. Është këngë e veçantë për mua dhe kisha pak frikë nga bestytnitë sepse nuk i kisha thënë askujt për këngën. Deshi zoti dhe fuqitë e mbinatyrshme që ne të ishim të lumtur të rrethuar edhe nga tingujt e kësaj kënge.”

Frymë (2021)

“Më ka frymëzuar jeta që kam përjetuar me tim atë. Ato momente kur ti përqafohesh dhe nuk e di që është momenti i fundit dhe shkëputesh me idenë se do e takosh nesër, pasnesër apo pas një jave. Nuk e vlerëson aq shumë momentin sepse nuk e di çfarë do të ndodhi nesër. Më vonë është përmbushur nga të gjitha episodet magjike që unë kam përjetuar me tim atë. Babai im ishte një person magjik. Mund të shkruaj me miliona këngë për të. Brenda në këngë unë i kam shtuar tek strofa e dytë ‘asnjë kangë smundet me mjaftu dashnin tande kam me ja kallxu’, këtu i them vetes që është koha ta lë të shkojë. Klipi vjen si një fabul e shkurtër dhe e ngrohtë, është ideuar nga Lorna Çekixhi e cila solli në jetë këto kukulla magjike ndërsa Joan Kamberaj realizoi ‘stop motion’. Ishte Lorna e cila insistoi që të sillte historinë apo marrëdhënien e djalit me babain e tij”.