Sport

Vllaznia-Tirana, shkodranët nuk lejojnë tifozët e Tiranës!

Vllaznia nuk lejon pjesëmarrjen e tifozëve të Tiranës, në ndeshjen e sotme! Shkak, gjuha e urrejtjes. Tensionet disa vjeçare mes dy tifozerive e sinjalizimet për dhunë, detyrojnë klubin shkodran të marrë vendimin drastik. Në një reagim publik, Vllaznia shkruan se ka njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Klubin e Futbollit Tirana, për mesazhet e dhunës e fyerjeve që grupimi “Tirona Fanatics” ka shpërndarë në rrjetet sociale, por deri tani, asnjë përgjigje. Sot në orën 16:45 luhet Vllaznia-Tirana.

Reagimi i Vllaznisë:

Klubi i Futbollit Vllaznia është i angazhuar maksimalisht në organizimin sa më të mirë të ndeshjes Vllaznia-Tirana duke u kujdesur maksimalisht për një qëndrim korrekt të tifozerive respektive në shkallët e stadiumit. Konstatohet se grupimi “Tirona Fanatics” përmes faqes së tij zyrtare, në njoftimin dhe përgatitjen e tifozerisë tiranase për të marrë pjesë në këtë takim, ka lëshuar fyerje të cilat nxisin dhunë dhe janë të papranueshme për principet dhe misionin e futbollit.

Përsa më sipër, ditën e djeshme kemi njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Klubin e Futbollit Tirana për marrjen e masave të menjëhershme dhe heqjen e fjalëve të papërshtatshme në postimin e këtij grupimi. Por, përtej angazhimit dhe mirëkuptimit të FSHF-së dhe Klubit Tirana, deri sot në mesditë nuk ka patur asnjë reagim duke mbetur e njëjta situatë. Përsa më sipër, KF Vllaznia me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatave të dhunës, do të mbajë të mbyllura tribunat E4 dhe E5 të planifikuara për grupimin e tifozëve të Tiranës.

Ndërkohë, Mirel Josa debutoi me fitore në stolin e Laçit dhe e bëri këtë ndaj të shkuarës së tij. Kurbinasit mposhtën 2-0 Skënderbeun në Laç duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe iu larguan disi, fundit të renditjes. Me këtë sukses, u ngjitën në kuotën e 8 pikëve. Skënderbeu pësoi disfatën e 3-të rresht në kampionat nga skuadra e re e trajnerit Josa, me të cilin ka shkruar historinë në Superiore dhe Europë.