Aktualitet

Vlorë/ 4 policë pezullohen nga detyra, akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv!

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin ndaj disa punonjësve të policisë rrugore në qytetin bregdetar, të cilët akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën.

Burime për gazetaren Anila Hoxha tregojnë se nga hetimet e kryera deri më tani me informacionet e mbledhura nga përgjimi i bisedave telefonike dhe përgjimet e kryera nga policia e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në Vlorë, është konstatuar shpërdorimi i detyrës nga  disa efektivë të rrugores.

Bëhet fjalë për punonjësit e policisë rrugore, M.C., A.XH., R.M., T.K., dhe E.K., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohë dhe vende të ndryshme kanë shpërdoruar detyrën duke ndëshkuar me gjoba jo në proporcion me shkeljen e kryer, drejtues të ndryshëm automjetesh.

4 prej tyre, A.XH., R.M., T.K., dhe E.K., janë pezulluar nga detyra ndërsa efektivi M.C i është caktuar masa”detyrim paraqitje”.

Gazetarja Anila Hoxha mëson se ata kanë falsifikuar të dhënat e radarit sa i përket udentitetit të kundravajtësve me qëllim mos penalizimin e tyre dhe heqjen e automjeteve nga sistemi “Alert”, duke i shkaktuar dëm ekonomik shtetit.

Disa prej tyre kanë ofruar në mënyrë të parregullt dhe pa licensë shërbinin taksi dhe furgon paragjerësh në qytetin e Vlorës, duke dekonspiruar kështu kryerjen e aksioneve dhe kontrolleve ndaj këtyre subjekteve nga kolegët e tyre.

Ndërkohë Prokuroria vazhdon hetimet për evidentimin e rasteve të tjera apo personave të tjerë të përfshirë.