Aktualitet

Vlorë, djegie makinash dhe grabitje në një dyqan pajisjesh elektronike/Policia ka pamjet, vijon hetimet!

Një person i maskuar me kapuç është autori i djegies së dy makinave gjatë natës, në fshatin Nartë të Vlorës. Kamerat e sigurisë tregojnë këtë person ende të paidentifikuar teksa spërkat me lëndë djegëse dy automjetet dhe u vë flakën. Më pas, ai u largua drejt një zone me ullishte. Pronari i mjeteve, shtetasi Arjan Gogo deklaroi në polici se nuk ka asnjë problem, ndërsa ai rezulton pronar i një lokali në fshat. Kamerat e sigurisë janë sekuestruar nga uniformat blu e pritet identifikimi i autorit, si dhe zbardhja e ngjarjes.

 

Në një tjetër zhvillim, po në Vlorë, një dyqan pajisjesh elektronike ra pre e një grabitjeje. Dy persona të maskuar hynë në mjediset e tij, në bulevardin Vlorë-Skelë. Siç duket nga pamjet ata hapin me forcë derën e biznesit, duke e shkelmuar dhe më pas hyjnë brenda e marrin celularë e laptopë. Pasi kontrollojnë për disa minuta, mbushin krahët me sende e largohen me shpejtësi. Për shkak të kapuçit nuk janë të identifikueshëm, por policia po heton ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë në qytetin bregdetar jugor.