Rajoni

VMRO-DPMNE, fituese e zgjedhjeve vendore në Maqedoninë e Veriut!

Në Maqedoninë e Veriut, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka dalë me rezultatet e votimeve lokale të një dite më parë, por bazuar nga të dhënat në faqen zyrtare, në shumë komuna kanë fituar kandidatët e opozitës maqedonase, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Kjo parti shpalli fitoren në mbi 20 nga 80 komuna. Po ashtu udhëheq në të tjera, çka e favorizon për balotazhin e 31 tetorit.

Kryetari i VMRO-DPMNE/së, Hristjan Mickovski:

Kjo është fitore e madhe e popullit të Maqedonisë, e të rinjve, e të moshuarve, burrave e grave të këtij vendi, e të gjithë qytetarëve pa dallime etnike, fetare apo në profesion. Pavarësisht të gjitha parregullsive, presioneve dhe veprimeve të shumta kriminale, fitoi populli!

Kryeministri Zoran Zaev, i cili drejton LSDM-në tha sot se beteja zgjedhore ende nuk ka përfunduar. Për në raundin e dytë ka paralajmëruar bashkëpunim mes forcave progresive, që siç u shpreh, “të parandalohet kthimi i së keqes në pushtet”.

Kokën lart! Ne e morëm mesazhin e qytetarëve: ata presin edhe më shumë punë… LSDM-ja hyn në balotazh në 36 komuna, përfshirë qytetin e Shkupit, ku kandidati ynë aktualisht kryeson me rreth 15 mijë vota. Kjo është arsyeja pse ne presim një rezultat solid më 31 tetor.

Por pavarësisht pretendimeve të Zaevit, në Shkup, fituese duket kandidatja e pavarur, Danella Arsovska, të cilën e mbështet opozita maqedonase.

Lidhur me procesin elektoral në Maqedoninë e Veriut, vlerësimet i dhanë edhe partitë shqiptare. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli fitoren në tre komuna e procesin e vlerësoi të qetë dhe demokratik.

Dje u demonstrua kulturë demokratike, pasi zgjedhjet janë pasqyra e një shteti. Në raundin e parë, BDI-ja i fitoi zgjedhjet në komunat e Sarajit, Likovës e Pllasnicës. Në balotazh, kryeson në të Tetovës, Çairit, Kërçovës, Strugës, Zhelinës, Tearcës, Bogovinës, Haraçinës e Dollnetit.

Ndërkohë, Zijadin Sela, drejtues i koalicionit opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa bëri të ditur se fituan në dy komuna, por se presin balotazhin në pesë të tjera.

Si koalicion, shpallim fitoren në raundin e parë në Gostivar e Dibër, ndërsa në pesë komuna të tjera shkojmë në balotazh. Kuptohet që jemi të fokusuar dhe besoj se do t’ia dalim që të rrisim numrin e komunave të drejtuara nga opozita shqiptare.

Procesi zgjedhor është vlerësuar si kryesisht i qetë, me disa parregullsi që nuk ndikuan mbarëvajtjen e tij. Dje në orët e para u regjistruan probleme teknike me aparatet për identifikimin biometrik të votuesve. Për kryetarë të komunave në Maqedoninë e Veriut garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10.600 emra.