Aktualitet

Vodhi fondet sociale, Spiro Ksera humbet betejën me drejtësinë shqiptare!

Spiro Ksera, ish ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë “Berisha” në vitet 2009-2013, ka humbur betejën e fundit ligjore në sistemin e drejtësisë në vend, atë në Gjykatën e Lartë ku kishte kërkuar pafajsi. Në një vendim të publikuar sot Gjykata e Lartë ka vendosur refuzimin e rekursit të bërë nga ish ministri për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit të 12 dhjetor 2016 që e shpalli të fajshëm dhe e dënoi me 1 vit e 8 muaj burg.

Në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ish-drejtorin e Kabinetit Kleves Bitro si dhe mbeshtetjen e disa zyrtarëve të tjerë, Ksera vodhi paratë e akorduara për aktivitetet e shtresave të ndryshme sociale. Në shumicën e rasteve, sipas Prokurorisë së kryeqytetit, këto aktivitete nuk janë realizuar, ose janë bërë me kosto shumë më të ulëta se sa vlera që është shënuar në dokumentet zyrtarë. Abuzimi financiar përllogaritet në rreth 30 milionë lekë të reja.

Spiro Ksera ishte ministri i parë që dënohet me burg për abuzim me detyrën. I dyti u bë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.