Auto & Moto

Volkswagen po negocion shitjen e fabrikës në Rusi!

Kompania Volkswagen po zhvillon së fundmi bisedime për shitjen e fabrikës së saj në Kaluga, Rusi, një vit pasi kompania ndaloi prodhimin dhe eksportin e automjeteve për shkak të pushtimit rus në Ukrainë. “Një nga opsionet është shitja e aseteve të Volkswagen Group Rus dhe kështu edhe fabrika në Kaluga, te një palë e tretë”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.

“Bisedimet për këtë janë duke vazhduar dhe ende nuk janë finalizuar”. Më herët, gazeta ruse RBK kishte raportuar, pa konfirmim nga asnjëra kompani, se grupi rus i shitjeve të makinave Avilon po kërkonte të blinte fabrikën në Kaluga. VW ndaloi prodhimin në dy fabrikat e saj në Rusi në mars të vitit 2022 në sfondin e luftës në Ukrainë. Madje është ndërprerë edhe eksporti i automjeteve në Rusi për të gjitha markat e grupit.

Bizneset perëndimore janë larguar nga Rusia që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës një vit më parë. Rikujtojmë, se Volkswagen do të investojë 460 milionë euro deri në fillim të vitit 2025 në fabrikën e tij në Wolfsburg, me shumicën e fondeve që do të shpenzohen për prodhimin e modelit elektrik ID.3. Pasi të fillojë prodhimi i plotë i makinës kompakte, i cili pritet deri në vitin 2025, një model shtesë plotësisht elektrik në segmentin SUV do të prodhohet në Wolfsburg në platformën MEB, një platformë vetëm elektrike e përdorur që nga viti 2019.