Aktualitet

Voltalia nis ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë, përfundon vitin e ardhshëm!

Në vendin tonë, kompania Voltalia nis ndërtimin e centralit më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli në Ballkanin Perëndimor. Parku fotovoltaik i Karavastasë pritet të jetë në funksion në mesin e vitit 2023. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se vendi do të marrë për 15 vite 70 megavat orë me një çmim 24.89 euro.

Eshtë parku më i madh fotovoltaik në Ballkan me 140 megavat orë. Kjo ditë merr rëndësi më të madhe. Energjia që ne prodhojmë mbulon vetëm 70% të nevojave që ka vendi për konsum. Parashikimet për rritjet për çmimin e energjisë së importuar, janë hedhur poshtë pasi pritej që një megavat të ishte 250-260 euro, por ka arritur në 340 euro. Voltalia është një nga kompanitë e prodhimit energjetik, që ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro për megavat orë. Në mesin e vitit 2023, kur parku të jetë në funksionim, për 15 vite, ne do të marrim 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Këtu po nis investimi prej 100 milion eurosh, për t’i dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik.

Voltalia fitoi koncesionin 30-vjeçar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë në vitin 2020. Projekti 140 megavat iu dha Voltalias me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, më 21 janar 2020, sipas një procedurave dhe procesit konkurrues të tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH.

Sipas termave të tenderit, Parku i Karavastasë do t’i shesë operatorit publik shqiptar 50% të energjisë elektrike, nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do t’i shiten me kontrata afatgjata operatorëve privatë. Impianti pritet të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Impianti i ri i Energjisë do të mbulojë konsumin vjetor të energjisë elektrike të rreth 220 mijë banorëve, dyfishi i konsumit të qyteteve shqiptare si për shembull Vlora apo Kamza. Ky impiant do të shmangë emetimin e më shumë se 96,500 ton CO2 në vit, i barazvlefshëm me 9.5% të emetimit të sektorit industrial shqiptar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Parku fotovoltaik i Karavastasë, që po ndërtohet në bashkëpunim me kompaninë franceze Voltalia, është një tjetër hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike të Shqipërisë.

Ne nuk heqim dorë nga vizioni ynë i Shqipërisë 2030 për ta transformuar këtë vend, në një vend tërësisht të pavarur dhe eksportues neto të energjisë. Ne nuk jemi ende të pavarur nga pikëpamja energjetike sepse edhe kur kemi vitin më të lagësht të mundshëm, ne sërish nuk i mbulojë 100% të nevojave. Duhet t’i drejtohemi importit.

Ndërsa kur situata është si në tre vitet e fundit, shefi i qeverisë shqiptare theksoi se vështirësia bëhet më e madhe, pasi hendeku mes prodhimit dhe nevojës për konsum është i madh.

Në këtë rast futemi me burime jashtëzakonisht të konsiderueshme nga buxheti i shtetit. Por ne do të vazhdojmë të luftojmë përditë për pavarësinë energjetike dhe transformimin e këtij vendi në eksportues neto të energjisë. Kjo do të bëjë që energjia të mos jetë një hall, por të jetë kontribut neto në buxhet.