Bota

Von der Leyen mbështet thirrjen për armëpushim në Gaza!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për thirrjen e vendeve ndërmjetësuese, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Egjiptit dhe Katarit, për të filluar negociata lidhur me shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit e një armëpushim në Rripin e Gazës. Në një postim në X, shkruan:

Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar jetë, për të rindërtuar shpresën e paqes dhe për të siguruar rikthimin e pengjeve. Për këtë arsye, unë mbështes fuqimisht përpjekjet e ndërmarra nga Amerika, Egjipti dhe Katari, për të ndihmuar në arritjen e paqes e stabilitetit që i nevojiten rajonit.

SHBA-të, Egjipti dhe Katari, përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit për rifillimin e negociatave në Kajro ose në Doha më 15 gusht, për sigurimin e një armëpushimi në Gaza dhe për shkëmbimin e pengjeve.

Më herët, Shtëpia e Bardhë u shpreh “thellësisht e shqetësuar” nga një sulm ajror izraelit në një shkollë në qytetin e Gazës ku sipas zyrtarëve të mbrojtjes civile u vranë rreth 100 vetë dje. Sulmi u dënua nga shumë shtete arabe, si dhe nga Turqia, Britania e kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell. Në shkollë janë strehuar mijëra palestinezë, të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shërbimi i Gazës për Emergjenca Civile që disponon të dhëna të besueshme për numrin e viktimave u shpreh se rreth 100 persona janë vrarë si pasojë e sulmit të një dite më parë. Izraeli njoftoi se rreth 20 militantë të Hamasit po vepronin në atë objekt.

Hamasi, grupi palestinez që udhëheq Gazën është shpallur “terrorist” prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Në disa video të publikuara në rrjetet sociale u panë trupa të gjymtuar nën rrënoja.

Zv.presidentja Kamala Harris, njëherazi kandidate e demokratëve në garën presidenciale bëri thirrje për armëpushim në Gaza.

Edhe një herë ka shumë civilë të vrarë.

Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se Uashingtoni është në kontakt me Izraelin për të marrë më shumë informacione.

Ne jemi thellësisht të shqetësuar rreth raportimeve për viktima civile në Gaza, pas një sulmi të forcave izraelite të mbrojtjes në një objekt ku ka qenë shkolla.