Rajoni

Von der Leyen në Bosnje, njofton 70 milion euro ndihmë!

Liderëve boshnjakë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, sot u kërkoi të punojnë së bashku, për ta sjellë vendin më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për t’u anëtarësuar në BE, ky vend ballkanik aplikoi në vitin 2016, por liderët e tij, nuk kanë bërë thuajse asgjë për të nisur reformat që u përcaktuan si të nevojshme në përparimin drejt Bllokut Europian.

Liderëve të presidencës trepalëshe, von der Leyen u kërkoi të mblidhen për ta kthyer në një shtet të ëndrrave të të rinjve, Bosnjën, një vend ku popullsia mbështet hyrjen në BE.

Dera e Bashkimit Europian është e hapur! Ju lutem, shfrytëzoni rastin dhe shfrytëzojeni këtë ftesë e tashmë, kjo varet nga ju!

Kështu u tha zyrtarja e lartë europiane politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, gjatë një vizite në Sarajevë, pjesë e një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit, dje ndaloi në Tiranë.

Këtë muaj, Komisioni Europian rekomandoi që Bosnjës t’i jepej statusi i kandidatit, me kushtin që ky vend të përforcojë demokracinë dhe të ndërmarrë të tjerë hapa të nevojshëm. Gjatë vitit të kaluar, vendi ballkanik përjetoi krizën më të rëndë politike që nga fundi i luftës në vitet 1990, mes politikave separatiste të liderit të Republikës Srpska, Milorad Dodik e grindjeve midis boshnjakëve dhe kroatëve mbi rregullat zgjedhore.

Këshilli i Ministrave të BE-së do të votojë për statusin e kandidaturës në dhjetor, edhe pse analistët dyshojnë se deri atëherë Bosnja do të jetë në gjendje të kryejë reformat e nevojshme, veçanërisht pasi qeveritë e reja nuk janë formuar ende pas zgjedhjeve të 2 tetorit.

Von der Leyen bëri të ditur se Bosnja do të marrë 70 milion euro (nga paketa 500 milion euroshe e BE-së) si ndihmë për krizën energjetike dhe mbështetje të menjëhershme për familjet e bizneset në nevojë. Po ashtu, von der Leyen inauguroi një tunel në një autostradë të ndërtuar me fondet e BE-së, 542 milion euro, të dhëna në formën e granteve.