Bota

Von der Leyen: Putin po e përdor krizën ushqimore për presion ndaj Perëndimit!

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg, theksoi nevojën urgjente për të rivendosur portet e Detit të Zi të Ukrainës, si një zgjidhje për krizën e afërt globale të ushqimit.

“Ky është një rrethim i ftohtë, i pashpirt dhe i llogaritur nga Putini ndaj disa prej vendeve dhe njerëzve më të cenueshëm në botë. Dhe prandaj tani, të nderuar deputetë, ushqimi është bërë tashmë pjesë e arsenalit të terrorit të Kremlinit dhe ne nuk mund ta tolerojmë atë”, u tha von der Leyen ligjvënësve të BE-së. Sanksionet e BE-së kundër Rusisë “nuk prekin mallrat bazë ushqimore”, theksoi shefi i Komisionit të BE-së. Ato nuk ndikojnë në tregtinë e drithërave apo ushqimeve të tjera ndërmjet Rusisë dhe vendeve të treta. Dhe embargoja e portit ka në mënyrë specifike përjashtimin e plotë të mallrave bujqësore”, shtoi ajo, duke theksuar nevojën për të kundërshtuar “dezinformimin” rus për krizën ushqimore.

Vërejtjet e saj vijnë ndërsa ministrat e jashtëm rus dhe turq mbajtën takime në Ankara të mërkurën për të diskutuar çështjet lidhur me eksportet e drithit nga Ukraina.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi këtë të mërkurë se pasojat për botën nga pushtimi rus i Ukrainës po përkeqësohen ,duke prekur 1.6 miliardë njerëz.

“Ndikimi i luftës në sigurinë ushqimore, energjinë dhe financat është sistematik, i rëndë dhe i përshpejtuar,” tha ai, teksa paraqiti raportin e dytë të OKB-së për pasojat e konfliktit.

Lufta “kërcënon të lëshojë një valë të paprecedentë urie dhe mjerimi, duke lënë kaos social dhe ekonomik pas saj”, shtoi Guterres.

Ndërsa kriza e këtij viti duket se ka të bëjë me mungesën e aksesit në ushqim, kriza e vitit të ardhshëm mund të jetë për mungesën e vetë ushqimit, paralajmëroi ai.

“Ka vetëm një mënyrë për të ndaluar këtë stuhi grumbulluese – pushtimi rus i Ukrainës duhet të përfundojë”, tha Guterres.