Aktualitet Politikë

Votimi për kreun e PD-së, Albana Vokshi informon mbi pjesëmarrjen!

Zgjedhjet për kryetar të PD-së, deri në orën 13:00 votuan 24 mijë e 125 votues, sipas njoftimit më të fundit zyrtar. Më herët në një dalje për mediat nga Selia Blu, kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi, deklaroi se “është i lartë interesi për të votuar në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike”.

Procesi vijon normalisht. Duket një interes shumë i madh i demokratëve për të votuar që në orët e para të mëngjesit. Fakti që kemi më shumë qendra votimi, e ka bërë procesin më të menaxhueshëm. 14.012 anëtarë të PD-së votuan deri në orën 11:00.

Albana Vokshi informoi se “demokratët po votojnë duke përdorur kartat e tyre të anëtarësimit”.

Pas votimeve të referendumit, pati shumë demokratë që kanë votuar me kartat e tyre të anëtarësisë. Kjo ka vijuar edhe për primaret. Edhe në votimet për kryetar të PD-së, janë paraqitur anëtarë të PD-së që kanë votuar me karta. Gjatë votimeve të fundit, në referendum ishin 43 mijë anëtarë që votuan. Në zgjedhjet për kryetarë të degëve morën pjesë 39 mijë anëtarë, pa dy degë.

Ju siguroj që rezultati do të dalë shumë shpejt. Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Dua të ftoj demokratët që të dalin për të votuar. Të zgjedhin kush do të jetë kryetar i Partisë Demokratike!

VOTUESIT SIPAS QARQEVE:

Shkodër- 1287 votues

Lezhë- 830 votues

Kukës- 1081 votues

Dibër- 650 votues

Durrës- 1005 votues

Tiranë- 3694 votues

Elbasan- 1190 votues

Berat- 460 votues

Korçë- 1200 votues

Fier- 1520 votues

Vlorë- 570 votues

Sot zgjidhet kryetari i Partisë Demokratike, në një garë mes ish-liderit Sali Berisha, i cili pas 9 vitesh, synon rikthimin në krye të Selisë Blu dhe rivalit Ibsen Elezi, ish-numri një i PD-së Kukës. Procesi që nisi në 08:00 të mëngjesit, organizohet nga Komisioni i Rithemelimit. Në të gjithë vendin janë 108 qendra votimi ku demokratët u thirrën të shprehin vullnetin me votë, deri pasdite në orën 18:00. Data 22 maj u caktua nga Kuvendi i 30 prillit si dita kur do të zhvilloheshin votimet për kryetarin e ri të partisë. Ndërkaq, këto zgjedhje janë kontestuar nga pjesa tjetër e Partisë Demokratike.