Bota

Vrasësi i ish-kryeministrit Abe: Veprova i shtyrë nga probleme ekonomike!

Një Task Force me 90 persona vazhdon punën për të hedhur dritë mbi vrasjen që ka tronditur Japoninë e jo vetëm: ekzekutimin në Nara të ish-kryeministrit Shinzo Abe, dje gjatë një takimi zgjedhor. Kreu më jetëgjatë i një qeverie në vendin aziatik në 10 vitet e fundit u qëllua me një armë zjarri artizanale nga një 41-vjeçar, tashmë i ndaluar.

Nga rrëfimet paraprake dhënë hetuesve, pjesë të të cilave po publikohen edhe në media, del se Tetsuya Yamagami kishte si qëllim që indirekt të godiste kreun e një grupi fetar, pasi liderin e tij e konsideronte të lidhur me të ndjerin Abe. Vrasësi ka hyrë në detaje duke treguar se nëna e tij ishte përfshirë në mënyrë serioze e të thellë në këtë sekt, përmes dhurimit të shumave të konsiderueshme të parave. Një gjë e tillë po kthehej në problem madhor në familje, shoqëruar me probleme ekonomike.

Referuar policisë, agresori ushqente urrejtje për këtë grupim specifik fetar, por nuk ka qenë kundër ideologjisë politike të Abes. Mbrëmjen e së enjtes zbuloi në internet se ish-shefi i qeverisë do të shkonte në Nara për takimin elektoral dhe vendosi të veprojë, duke udhëtuar për atje me tren.

Nga Nara, makina me trupin e pajetë të ish-kryeministrit të vrarë u vendos në rezidencën e tij në Tokio ku dhe u prit nga njerëz të shumtë, që u vendosën në radhë për t’i bërë homazhe. Të hënën e 11 korrikut do të zhvillohen homazhe, ndërsa të martën, ceremonia funebre për familjarët e ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Shinzo Abes.

Liderë nga e gjithë bota e drejtues të institucioneve më të rëndësishme në nivel global shprehën ngushëllime e vlerësime për 67-vjeçarin, si udhëheqës me ndikim në politikat globale. Ndërsa hetimet vazhdojnë për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve në lidhje me motivet e atentatit, analistët bashkohen në mendimin se ky krim do ta ndryshojë përfundimisht Japoninë.