Bota

Vrasësi i ish-kryeministrit japonez Abe donte të realizonte një bombë/Policia veproi pas krismës së parë!

Tetsuya Yamagami, i cili dy ditë më parë qëlloi me armë zjarri dhe vrau në Nara ish-kryeministrin japonez, Shinzo Abe i tha policisë se tentoi të realizonte edhe një bombë, krahas disa pistoletave artizanale, njërën prej të cilave e përdori për krimin. Kjo bëhet e ditur nga agjencia Kyodo që i referohet burimeve zyrtare pranë grupit hetimor. 41-vjeçari doli para gjykatës me akuzën e vrasjes dhe për t’iu komunikuar masa e arrestit në burg.

Një Task Force e përbërë nga 90 hetues është përqendruar në zbardhjen e motiveve të ngjarjes që tronditi Japoninë e po ashtu gjithë botën. Vrasësi përjashtoi motivet politike duke ritheksuar variantin se nëna e tij kishte bërë një dhurim të madh në para’, për një organizatë fetare, ndaj të cilës ai ushqente një urrejtje të fortë dhe besonte se ishte e lidhur me Shinzo Aben. Bujaria e gruas çoi në probleme të shumta financiare në familje.

Po sipas burimeve të cituara nga Kyodo, 41-vjeçari tregoi se fillimisht synonte të shënjestronte një drejtues të lartë të grupit fetar, përfitues i parave, por më pas ndryshoi mendje dhe vendosi të vriste ish-shefin e qeverisë. Qëllimin e realizoi të premten kur 67-vjeçari po zhvillonte një takim zgjedhor në Nara të Japonisë. Kur mësoi për këtë takim të njoftuar nga mediat, agresori shkoi në Nara me tren.

Sipas të dhënave paraprake nga hetimi lidhur me veprimet e policisë, rezulton se agjentët nuk e kanë identifikuar më herët si të dyshimtë Yamagamin dhe reaguan vetëm pasi dëgjuan krismën e parë të armës që vrau ish-kryeministrin Shinzo Abe, figurë e njohur në vendin aziatik e në të gjithë botën. Abe do të mbahet mend edhe si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë në 10 vitet e fundit.

Një ditë më parë, arkëmorti me trupin e tij të pajetë u dërgua nga Nara në rezidencën e familjes në Tokio ku shumë qytetarë bënë homazhe. Nesër zhvillohen homazhet zyrtare e të martën një ceremoni funebre, në prani të familjarëve e personave më të afërt të ish-kryeministrit të ndjerë.