Bota

Vrasësi nga New Yorku shtiu me pushkë mbi 70 herë, udhëtoi me orë të tëra për të vrarë dhjetë afro-amerikanë

Në total dhjetë persona kanë humbur jetën në New York, si pasojë e të shtënave që ndodhën nga urrejtja e madhe racore.

I dyshuari raportohet se kishte udhëtuar për disa orë për të arritur në Buffalo, ku jeton komuniteti i madh i afro-amerikanve.

Sulmuesi është identifikuar si Payton Gendron nga Coklin, që është nga Buffalo ku edhe ndodhi krimi, rreth 300 kilometra larg.

I dyshuari kishte udhëtuar për disa orë për të arritur në këtë pjesë të qytetit. Ai ishte futur në një supermarket, nga ku kishte hapur zjarr.

Madje përdori një kamerë për transmetim live në internet, e për të kryer sulmin përdori pushkë automatike dhe kishte veshur jelek-antiplumb.

Si pasojë e kësaj janë goditur 13 persona, ku 10 prej tyre humbën jetën. Shumica e viktimave janë afro-amerikanë, ka bërë të ditur komesari i policisë në Buffalo, Joseph Gramaglia.

Grady Lewis që ishte dëshmitar i sulmit ka thënë për mediat lokale, se kishte parë burrin duke hapur zjarr mbi civilët.

“Pashë një burrë duke u futur, i pajisur sikur të ishte ushtar – menjëherë filloi të shtie mbi turmën”, shtoi ai.

Shonnell Harris, që në ato momente po punonte në lokal, tha për Buffalo News se ka dëgjuar rreth 70 plumba.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka dënuar atë që ai e quajti një sulm “të neveritshëm”.

“Ne po hetojmë këtë incident si një krim urrejtjeje dhe një rast të ekstremizmit të dhunshëm me motive racore,” tha në një konferencë për shtyp Stephen Belongia, agjenti përgjegjës i zyrës së FBI-së në Buffalo.

Tre persona që mbetën të plagosur, të cilët punonin të gjithë në supermarket nuk kanë pësuar lëndime serioze për jetën. Një oficer policie në pension, i cili punonte si roje sigurie, u përpoq të qëllonte të dyshuarin, por ishte në mesin e të vrarëve, thanë zyrtarët.

“Dyqani ishte plot. Ishte fundjavë,” tha Grady Lewis, i cili u bë dëshmitar i sulmit. “Ishte një makth”. Duke përshkruar pasojat e sulmit, një oficer policie i tha Buffalo News:

“Është si të ecësh në një film horror, por gjithçka është e vërtetë. Është si Armagedon”.

Nga ana tjetër guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul tha se i dyshuari ishte një “supremacist i bardhë që është përfshirë në një akt terrorizmi”. Në një deklaratë, presidenti amerikan Joe Biden tha se ai dhe Zonja e Parë po luteshin për viktimat dhe familjet e tyre.