Rajoni

Vrasja e 19-vjeçares shqiptare në Tuz, protesta në Malin e Zi, bashkohet Emina Cunmulaj!

Vrasja në Tuz të Malit të Zi e shqiptares Shejlla Bakija nga partneri, çon në protesta. 19-vjeçarja u ekzekutua me armë zjarri nga Ilir Gjokaj, i cili tre ditë më parë, më 30 shtator i shkoi në banesën ku jetonte me familjarët në Tuz dhe bashkë me vajzën, vrau gjyshen e saj e gjithashtu i plagosi rëndë babain.

Autori ende është në arrati, ndërsa mësohet se mbi një muaj më parë, viktima e pati denoncuar për dhunë fizike, por Prokuroria nuk u vu në lëvizje, me pretendimin se “rasti nuk përbënte vepër penale”.

Përmes rrjeteve sociale janë bërë thirrje për protestë sot në mesditë, para godinës së Policisë së Tuzit.

Çohu malsi në këmbë se nuk kemi bija me na u vra! Çohu se sot është e dikujt tjetër, nesër mund të jetë në derën tënde!

Thirrjeve për të protestuar iu është bashkuar edhe Emina Cunmulaj, modelja me famë botërore e lindur në Amerikë, por me prindër shqiptarë nga Mali i Zi. Cunmulaj shpreh indinjatën e thellë për sistemin e drejtësisë në vendin e vogël ballkanik.

Ku është Ilir Gjokaj? Pse nuk është në burg??? Pse viktima e denoncoi atë disa ditë para se të vdiste dhe gjykatësi nuk bëri gjë?

Turp për sistemin e drejtësisë e mungesën e llogaridhënies në Malin e Zi!

Për vrasjen e Shejllës, në rrjetet sociale qarkulloi edhe një mesazh në vetën e parë, për të kërkuar kapjen e autorit të krimit me dy viktima e një të plagosur, që tronditi Tuzin.

 

Emri im është Shejlla Bakija, shqiptare nga Mali i zi. Dje isha vetëm 19-vjeçe kur më vranë. Vrasësi ende vrapon i lirë, ai më mori jetën në lule të rinisë. Ndaj më ndihmoni ta kapim atë përbindësh, që erdhi në mes të shtëpisë duke më marrë jetën mua, gjyshes sime dhe duke plagosur babanë tim!