Rajoni

Vrasja e gruas shtatëzënë në Prishtinë, nis protesta me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”!

Ka nisur para pak minutash protesta në Prishtinë për vrasjen makabre të një gruaje shtatzënë mbrëmjen e djeshme nga partneri i saj.

Qindra protestues janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po kërkojnë përgjegjësi institucionale për vrasjen e djeshme, e cila tronditi mbarë opinionin publik.

“Policë, jeni bashkëfajtorë në vrasjen e grave”, “Edhe sa thirrje të humbura”, janë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët po marshojnë drejt Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00 ku Sokol Halili vrau gruan e tij shtatzënë Hamide Magashin 35 vjeçe, të cilën e la të vdekur para maternitetit në Prishtinë. Çifti ishte martuar këtë vit, por pas problemeve të shumta mes njëri-tjetrit kishin shkuar drejt ndarjes.

Sipas familjarëve të viktimës, kjo e fundit kishte gjashtë muaj që mbahej e mbyllur në shtëpi nga bashkëshorti, madje edhe autoritetet kanë qenë të njoftuar në lidhje me abuzimin dhe i kishin dhënë asaj urdhër mbrojtjeje. Halili është ende në kërkim nga policia pasi u arratis pas momentit të krimit.