Aktualitet

Vrasja e Martin Çeços në Maliq, “Arrest me burg” për Tina Pajollarin!

Masa e sigurisë “Arrest me burg” u vendos sot për Martina Pajollarin, e akuzuar si e përfshirë në vrasjen e të riut Martin Çeço, me të cilin thuhet se kishte një lidhje dashurie. Pajollari u arrestua nga policia e Korçës, 4 muaj pas ekzekutimit të 26-vjeçarit në fshatin Kolanec të Maliqit. Por, kjo nuk duket të ketë qenë e vetmja lidhje e 18-vjeçares.

Raportet me njërin prej autorëve të dyshuar dhe viktimën çuan në pranga Pajollarin, ndërsa dyshohet si bashkëpunëtore në krim. Në deklaratat në Polici, mësohet se në një moment pranoi që ndodhej në vendngjarje kur ndodhi vrasja. Për këtë çështje, më parë, tre shtetas janë vënë pas hekurave: Valter dhe Edlir Mollaj e Blenti Angjo.

Nga hetimet, Prokuroria krijoi dyshime të forta se kjo shtetase e nxori në pritë 26-vjeçarin, natën kur u ekzekutua disa kilometra pranë fshatit, tek një rezervuar, ku u inskenua dhe vetëvrasja e Martin Çeços. Ishte Tina Pajollari e cila u pyet e para në Polici dhe tregoi se vrasjen e kreu Valter Mollaj, i mbështetur nga Edlir Mollaj dhe i shoqëruar nga bariu i tij Blenti Angjo.

Më vonë, para bluve pohoi se ka qenë në vendngjarje e dha të tjera detaje mbi krimin mostruoz. Dëshmia e të resë u mbështet dhe nga bariu i Valter Mollajt. Gjithsesi shtetasja Pajollari nga fshati Marjan i Korçës, ka ndryshuar disa herë dëshminë gjatë marrjes në pyetje.