Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet Lajmet e fundit

Vrasja e oficerit Saimir Hoxha, policia lokalizon autorin!

Policia është pranë kapjes së autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit Saimir Hoxha. Gjatë krehjes së territorit, në zonën e mbrojtur në Kune të Lezhës konstatohet një person që lëviz me shpejtësi në thellësi të pyllit e dyshohet se është Aldi Rama.

Nga toka dhe ajri, në zonën e Kune-Vainit në Lezhë vazhdojnë intensivisht kërkimet policore për kapjen e 21-vjeçarit, i dyshuar se sot vrau me pistoletë oficerin e policisë, Saimir Hoxha. Rama, i dënuar më parë për prodhim e shitje të narkotikëve, si dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta e qëlloi nën/komisarin kur siç mësohet paraprakisht, ai iu afrua një makine të dyshimtë në të cilën i riu ndodhej si pasagjer. Më pas, u arratis me të njëjtin automjet tip “Volkswagen”, që edhe e braktisi më vonë.

Mbetet ende të zbardhet dinamika e plotë e ngjarjes së rëndë të ndodhur rreth orës 10:30 minuta të mëngjesit në Ishull Lezhë. 44-vjeçari ndërroi jetë rrugës për në Spitalin Rajonal të Lezhës. Ai u vra në krye të detyrës ndërsa patrullonte zonën ku kishte dyshime për sipërfaqe të mbjella me cannabis sativa.

Policia vendosi dhe një shpërblim për kapjen e autorit.

Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21-vjeç, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt.