Bota

Vrasja e Presidentit të Haitit, pranga 15 kolumbianëve e 2 amerikanëve!

Në Haiti, shkon në 17 numri i të arrestuarve për vrasjen e presidentit Jovenel Moise në rezidencën private, dy ditë më parë, në një lagje të pasur në kryeqytetin Port-au-Prince.

Autoritetet njoftuan se në ekzekutimin e 53-vjeçarit janë përfshirë 28 mercenarë, mes tyre 26 kolumbianë dhe dy amerikanë, James Solages 35-vjeç e Joseph Vincent, 55, të cilët u arrestuan bashkë me 15 prej kolumbianëve.

Drejtori i Policisë Kombëtare, Leon Charles njoftoi vrasjen e tre të dyshuarve e bëri të ditur se 8 sulmues janë në arrati. Më herët ishte njoftuar për katër të vrarë në radhët e agresorëve, mospërputhje që ende nuk janë sqaruar.

Ndjekja e mercenarëve vazhdon! Fati i tyre është vulosur, ata do të vdesin në luftime ose do të arrestohen!

Ndërkaq, Tajvani lëshoi sot një deklaratë ku bënte të ditur se 11 të dyshuar u kapën në ambasadën e tij në Port-au-Prince, pasi u përpoqën t’i shmangeshin policisë.
Departamenti i Shtetit në Uashington nuk i ka konfirmuar njoftimet se dy shtetas amerikanë ndodhen në paraburgim.

Një natë më parë, qeveria kolumbiane konfirmoi se të paktën gjashtë nga të dyshuarit, përfshirë dy nga të vrarët kanë qenë pjesë e ushtrisë së Kolumbisë por nuk dha detaje për identitetin e tyre.

Kryeministri i Përkohshëm i Haitit, Claude Joseph shpalli gjendjen e shtetrrethimit që nënkupton zbatimin e ligjit ushtarak dhe lejon policinë të bëjë gjithçka që është e nevojshme në ndjekjen e vrasësve. Tashmë, ekziston shqetësimi i thellë se kjo mund të keqpërdoret ndaj kundërshtarëve politikë.

Autoritetet nuk dhanë shumë hollësi në lidhje me të dyshuarit e ndaluar, të vrarët në përleshjet e armatosura ose kush e drejtoi policinë tek ata. Zyrtarët thanë vetëm se sulmi u krye nga një grup shumë i mirë trajnuar dhe i armatosur rëndë, me sulmues që flisnin spanjisht e anglisht. Motivi i vrasjes mbetet i paqartë në vendin e varfër, prej kohësh të përfshirë nga trazirat politike.

Gjykatësi Carl Henry Destin i tha gazetës “Le Nouvelliste” se sulmuesit u prezantuan si agjentë të DEA-s amerikane por nuk kishin lidhje me agjencinë. Më pas u drejtuan për në dhomën e gjumit të presidentit duke e qëlluar të paktën 12 herë. Po ashtu plaçkitën rezidencën.

Zonja e parë e Haitit, Martine Moise u plagos gjatë sulmit dhe më pas u transferua në Miami të Floridas në Shtetet e Bashkuara. Kryeministri Joseph tha se është jashtë rrezikut e në gjendje të qëndrueshme.

Kushtetuta e Haitit përcakton se presidenti Moise duhet të zëvendësohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë nga COVID-19. Një ditë para vrasjes së tij, Moise kishte emëruar Ariel Henry-n, politikan dhe neurokirurg i Haitit, për të zëvendësuar Joseph-in si kryeministër.

Në një tjetër zhvillim, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh në një takim emergjent dje pasdite, për të diskutuar krizën në Haiti.

Të gjitha palët të qëndrojnë të qeta e të përmbahen, si dhe të shmangin çdo veprim që mund të shtojë paqëndrueshmërinë!

Presidenti amerikan, Joe Biden, u shpreh “i tronditur” dhe “i trishtuar” nga vrasja e homologut haitian.