Rajoni

Vrasja e trefishtë në Deçan, Kurti: Hetuesit më të mirë po merren me çështjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se hetimet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit vijon. Pasi ka bërë homazhe te busti i senatorit Bob Dole tha se hetuesit më të mira janë të përfshirë në këtë rast.

“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar, meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, tha Kurti.

Autobusi ishte duke qarkulluar në aksin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat, ndërsa ende nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e të premtes së 26 nëntorit.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka premtuar 20 mijë euro për çdo qytetar që jep informacione për të dyshuarit që janë të përfshirë në këtë vrasje.

Njoftimi i plotë i Qeverisë së Kosovës:

Lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë të premten mbrëma në Gllogjan, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saj relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti.

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejtë ​të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe e-mail: [email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe.