Aktualitet Lajmet e fundit

Vrasja në Fier, qindra gra e vajza në protestë!

Vrasja e grave dhe vajzave është pandemi, ku janë vaksinat?!”, kjo është një ndër dhjetëra pankartat që gjejmë në rrugët e kryeqytetit dhe Fierit, gjatë protestës ku kërkohet drejtësi për Sabrina Bengaj, e ekzekutuar nga ish-burri i saj, Elton Meta.

Kjo protestë i dedikohet çdo vajze dhe çdo gruaje, që ka humbur jetën tragjikisht nga duart e bashkëshortit të saj ose jeton nën frikën e dhunës.

Në protestën e sotme, ku qindra vajza dhe gra kanë “pushtuar” rrugët për të koontribuuar në mënyrën e tyre sado pak në këtë nismë për drejtësi, janë parë edhe e figura politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj dhe Erisa Xhixho. Me pankarta nëpër duar dhe shpresën se drejtësia do të jetë kryefjala në dënimin që do të ndërmarrë gjykata për Elton Meta, gra dhe vajzat janë mbledhur sot rreth orës 18:00, për ngjarjen që tronditi vendin 5 ditë më parë, në Fier.

Një prej familjarëve, të pranishëm në protestën e organizuar nga “Shoqëria Civile”, thotë se vajza kishte ikur te ish-burri i saj pa lejen e prindërve dhe ky fakt e bënë atë që të heshtte për dhunën që i ushtrohej.

Sabrina Bengaj u vra 5 ditë më parë nga ish-burri i saj Elton Meta, duke lënë pas një fëmijë të vogël. Meta u arratis menjëherë pas ngjarjes, por kjo arrati nuk i zgjati shumë. Ai u arrestua pas 3 orë ndjekjeje, i fshehur në një pyll në fshatin e tij në Peshtan të Fierit, ku iu gjet edhe arma e krim. Kjo vrasja e të resë nxori në pah edhe skandalin e drejtësisë shqiptare, ku Meta ndonëse terrorizoi për më shumë se 5 orë familjen Bengaj një vit më parë, nuk bëri asnjë ditë burg, pasi gjyqtari Piro Sota dhe prokurori Çlirim Sino, nuk e dënuan me asnjë ditë burg, por e shtruan në spitalin burg të Zaharisë. Prej aty, vetëm pak muaj me vonë u nxor me argumentin se do të vazhdonte kurimin në shtëpi.

Gjatë vitit 2021, deri më tani, 14 vajza dhe gra kanë humbur jetën nga duart e partnerëve ose bashkëshortëve të tyre.