Aktualitet

Vrasja në Peqin, pranga dy të dyshuarve si bashkëpunëtorë!

Arrestohen dy të dyshuar si bashkëpunëtorë të autorëve të vrasjes së Albi Bashaliut në fshatin Gjoçaj të Peqinit, dy ditë më parë. Në pranga ranë Veiz Bashali e Mikel Xhaja, po nga Gjoçaj. Dyshohet se ata kanë tentuar të fshehin ngjarjen, duke penguar Policinë për t’u informuar lidhur me rrethanat e motivin e krimit.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e vrasjes së 32-vjeçarit, mëngjesin e datës 27 dhjetor 2021.  Vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si përkrahës të autorëve të krimit.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë vijuar intensivisht punën hetimore, me qëlim zbardhjen e vrasjes së 32-vjeçarit A. B.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur arrestimi i shtetasve:  V. B., 41 vjeç dhe M. Xh., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gjoçaj, Peqin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.

Gjithashtu, në kuadër të kryerjes së veprimeve procedurale dhe thellimit të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale, në ndjekje e sipër të autorëve të dyshuar të veprës penale, më datë 28.12.2021, rreth orës 01:00, në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, Rrogozhinë, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima, shtetasi A. B.

Nga rrethanat e hetimit dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje.

Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.  Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.