Bota

Vrasja në sheshxhirim, eksperti akuzon Alec Baldwin se shkeli normat e sigurisë!

E mbushur apo jo, një armë edhe pse në sheshxhirim, asnjëherë nuk i drejtohet një qenieje njerëzore!

Pohimi vjen nga eksperti amerikan i armëve në sheshxhirime, Bryan Carpenter. Duke folur për New York Post, theksoi se Alec Baldwin shkeli rregullin numër një të sigurisë për pistoletat në sete. Sipas tij, “nuk ka dyshime se aktori e drejtoi armën kundrejt një tjetër personi”.

Por, Baldwin rrezikon të tjera pasoja për vrasjen aksidentale të Drejtores së Fotografisë, Halyna Hutchins në setin e filmit “Rust”, ku gjithashtu është bashkëproducent.
Sipas disa ekspertëve ligjorë të cituar në mediat amerikane, “nuk pritet të akuzohet për “vrasje me dashje”, përsa kohë, nuk e dinte që pistoleta ishte e mbushur”.

E vetmja mundësi që të ndiqet penalisht është nëse konfirmohet se e ka përdorur armën në mënyrë të rrezikshme, gjë që deri tani nuk ka dalë, pavarësisht akuzave të Bryan Carpenter. Por, si një prej bashkëproducentëve të filmit western, nga pikëpamja civile, mund të përballet me disa veprime ligjore, nëse konfirmohet neglizhencë nga ana e tij, sa i përket sigurisë.

Edhe pse aktori hollivudian Baldwin është producenti kryesor, hetimet mund të nxjerrin se të tjerë producentë ishin përgjegjës për sigurinë. Ndërkaq, mbetet të sqarohet se kush autorizoi zëvendësimin e trupës që nuk respektoi protokollet e sigurisë. Gjërat duhen zbardhur, por për momentin, çdo skenar përbën një makth ligjor për Alec Baldwin.