Aktualitet

Vrasja në Shkodër, autori lëvizte me motor e skafandër!

Një person me motor e me skafandër në kokë është autori i atentatit ndaj 57-vjeçarit Ismet Çekorja, i ekzekutuar dje me 7 plumba pistolete pranë shtëpisë në lagjen Guerrile të Shkodrës. Kjo u evidentua nga kamerat e sigurisë në vendngjarje. Në vijim të hetimeve, një natë më parë në Shkodër, RENEA ushtroi kontrolle ne qytetin verior, ku janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje. Ardhja e tyre u bë me kërkesë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Ekspertët e policisë po hetojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, për të krijuar një ide nga ka ardhur autori, por rezultoi se një pjesë e këtyre kamerave nuk funksiononte. Autori i paidentifikuar, u largua me shpejtësi nga zona.

Djali i viktimës është Bajram Çekorja, i shpallur në kërkim për atentatin ndaj shtetasit Alban Bruçi mbrëmjen e 25 gushtit në Shkodër. Ndaj Bruçit u qëllua 19 herë me armë zjarri, por arriti të shpëtonte për mrekulli. Të nesërmen, si autorë të dyshuar policia shpalli në kërkim Bajram Çekoren e Tornato Fushën.

Ismet Çekorja akuzoi policinë se për çdo ngjarje kriminale që ndodh në Shkodër, fajësohet i biri, madje në dispozicion vuri edhe disa pamje kamerash sigurie duke pretenduar se djali ishte i pafajshëm.

Unë kam dalë këtu me u shfajsu,  me thënë që nuk i kam kujt borxh. Asnjërit që përmenda. Janë bërë një grup bandash të lidhur me bandita të veshur me pushtet që djalin tim e kanë frikë dhe duan me patjetër ta fusin brenda. Por ne nuk kemi frikë as shtetin dhe as ata hajna kasollesh biçikletash e lopësh. Unë nuk i kam frikë hiç se a janë gjallë apo se a janë vdekur.

Tashmë mbetet  e paqartë nëse vrasja e Ismet Çekores ka lidhje me ngjarjen e fundit apo ka të bëjë me konflikte të tjera të mëparshme të familjes Çekorja.