Aktualitet

Vrasja në shkurt e Behar Sofisë në Tiranë, një tjetër i prangosur!

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e ekzekutimit të shtetasit Behar Sofia 66-vjeç, në muajin shkurt të këtij viti në Tiranë, zbulohet një tjetër bashkëpunëtor. Ai është Bujar Leza 45-vjeç, aktualisht i burgosur në burgun e Fushë-Krujës, i arrestuar tre muaj më parë për dhunë në familje. Masa e sigurisë “Arrest me burg”, e vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, iu komunikua në qeli. Nga hetimet u zbulua se kishte rolin e koordinatorit mes porositësve dhe vrasësve me pagesë, si dhe siguroi armën e përdorur e biçikletën me të cilën u largua autori.

Tashmë, Bujar Leza akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Viktima, Behar Sofia, emër i njohur më parë nga policia për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge, u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit, në afërsi të Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, ekzekutori i ka dalë përpara 66-vjeçarit duke e qëlluar për vdekje. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID, fillimisht e kaloi në këmbë urën e Lanës e disa metra më tej mori një biçikletë, me të cilën u zhvendos drejt Kodrave të Liqenit.

Më herët, lidhur me krimin janë arrestuar katër persona. Ata janë: Ernejt Shyti si ekzekutor, si edhe tre bashkëpunëtorët e tij, Skënder Vathi, Leonard Xhixha e Xhuljano Visha. I arrestuari më i fundit, Leza, rezulton se kishte njohje me Xhixhën.