Aktualitet

Vrasja pranë Gjykatës së Tiranës, Prokuroria kërkon “Arrest me burg!” për të ndaluarit!

Prokuroria e Tiranës dorëzoi sot kërkesën në gjykatë për masën e “Arrestit me burg” ndaj ish-policit Mexhit Picari dhe vajzës së tij, Dhurata Saliaj. Ata akuzohen për vrasjen e dy ditëve më parë të 41-vjeçarit Kudret Saliaj, me të cilin Dhurata ishte në proces divorci. 52-vjeçari e ekzekutoi dhëndrin me armë zjarri në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës e në dëshminë e dhënë në Polici, pretendoi se Kudreti e kishte ofenduar ndaj e qëlloi por kjo nuk rezultoi e vërtetë.

Autorët e dyshuar që prisnin fillimin e seancës gjyqësore të radhës, shkuan në të njëjtin lokal e mësohet se e vëzhguan për rreth 20 minuta viktimën, që gjendej në tavolinë me avokatin e tij, Adriatik Cama, i cili u plagos e po ashtu me një psikologe. Raportohet se një ditë para vrasjes, Kudret e Dhurata Saliaj kanë patur një debat të ashpër ndërsa sa i përket krimit, avokati i viktimës, ish-prokurori Cama deklaroi në polici se “nuk mundi të shohë të gjithë ngjarjen pasi po lexonte ekspertimin e psikologes”.

Cama mori një plumb në pjesën e djathtë të kraharorit. Ndërkaq, rezulton se psikologia humbi ndjenjat dhe ende nuk ka mundur të japë dëshminë e plotë. Nga pamjet e kamerave të sigurisë u rrëzua versioni i dhënë ditën e ngjarjes se në tavolinë me viktimën ishte djali 16-vjeçar i çiftit. Para grupit hetimor ai tha se nuk ishte i pranishëm në vendngjarje e shtoi se nëna, Dhurata Saliaj, ushtronte dhunë ndaj tij, motrës e vëllait.