Aktualitet

Vrasja te “Kodra e Diellit” dyshohet për hakmarrje/Viktima kishte dy emra!

Hakmarrja dyshohet të jetë një ndër shkaqet që mbrëmë çoi në ekzekutimin me kallashnikov të 39-vjeçarit Briken Sanaj, në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Mësohet se më 2012-ën, vëllai i viktimës plagosi një person në Lezhë, ndaj grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që ngjarja e para 10 viteve të jetë bërë shkak për ekzekutimin e një nate më parë, nga dy persona që në rezidencë hynë duke i thënë rojes se shkonin te një i afërm.

Familja Sanaj ende jeton në lagjen Besëlidhja të qytetit të Lezhës, por 39-vjeçari i njohur edhe me emrin Skerdilajd Sanaj, jetonte në Itali. Në Shqipëri ishte kthyer për të marrë pjesë në dasmën e një kushëriri në Lezhë. Në rezidencën “Kodra e Diellit”, kishte marrë një apartament me qira. Briken Sanaj, nuk rezulton person me precedentë të mëparshëm penal në Itali e po ashtu, as në vendin tonë.

Autorët ndoqën lëvizjet e viktimës, i cili u qëllua rreth mesnate, vetëm 20 minuta pas hyrjes në rezidencë. Makina e përdorur nga autorët nuk rezulton e pajisur me kartë rezidenti te “Kodra e Diellit”. Me një makinë tip “Audi”, 39-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, por ndërroi jetë rrugës.

Ndërkohë, automjeti i djegur i atentatorëve, bashkë me një kallashnikov brenda u gjetën në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash. Mësohet se targat e makinës Benz janë vjedhur në kryeqytet, para disa ditësh.

Në Prokurorinë e Tiranës, atentati me një viktimë është referuar për veprën penale “Vrasje me paramendim”. Sipas burimeve, kamerat e sekuestruara kanë filmuar pamje të rëndësishme ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e krimit dhe zbulimin e identitetit të autorëve.